Lajme

​Procesi i Berlinit, Ambasada gjermane: Bashkëpunimi rajonal kyç për integrimin evropian

Forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe avancimi i integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor janë në fokus të Procesit të Berlinit, ka deklaruar Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, në një përgjigje për KosovaPress.

Një ditë para samitit që pritet të mbahet në Mal të Zi, ambasada ka bërë të ditur se Gjermania synon që të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor të afrohen më shumë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa theksi i kësaj nisme mbetet në bashkëpunimin praktik dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Procesi i Berlinit është një platformë kyçe politike për forcimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe për mbështetjen e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian. Objektivi i qartë i Gjermanisë është që të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor të afrohen më shumë drejt anëtarësimit në BE. Procesi i Berlinit synon të sjellë përmirësime konkrete për qytetarët e rajonit, për shembull përmes lidhjeve më të forta rajonale, lëvizjes më të lirë dhe bashkëpunimit më të ngushtë praktik”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Sipas saj, rezultatet e synuara përmes këtij procesi përfshijnë lidhje më të forta rajonale, lëvizje më të lirë dhe bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet vendeve të rajonit.

Ambasada ka vlerësuar gjithashtu organizimin e samitit në Mal të Zi, vend që kryeson Procesin e Berlinit gjatë vitit 2026 dhe që ka avancuar në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Mali i Zi është ndër vendet kryesuese në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe kryeson Procesin e Berlinit për vitin 2026. Mbajtja e samitit në Mal të Zi dërgon një sinjal pozitiv. Kjo nënvizon se e ardhmja e Procesit të Berlinit duhet të përcaktohet gjithnjë e më shumë së bashku me rajonin dhe brenda vetë rajonit”, thuhet më tej në përgjigjen e Ambasadës.

Kosovën do ta përfaqësojë në këtë samit kryeministri Albin Kurti.

Procesi i Berlinit u iniciua në vitin 2014 nga Gjermania për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për të mbështetur integrimin e tyre evropian.

Samiti i 22 tetorit pritet të jetë një tjetër mundësi për të diskutuar bashkëpunimin rajonal dhe hapat e mëtejshëm drejt afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

Të Ngjashme