Lajme

Prokurori serb që hetoi aferën e kullës Trump në Beograd dyshohet se u shënjestrua me program spiunazhi

Prokurori serb Rade Bajiç, i cili hetoi skemën e dyshuar të paligjshme për ndërtimin e një hoteli dhe kulle Trump në Beograd, dyshohet se u shënjestrua me një program të avancuar spiunazhi, sipas analizave të laboratorit të forenzikës digjitale Citizen Lab, raporton Guardian.

Në gusht, Bajiç mori një njoftim nga Apple se kishte ” “zbuluar një sulm të synuar me spyware mercenar ndaj iPhone-it të tij”. Sipas ekspertëve, ky është një tregues me besueshmëri të lartë se telefoni i tij mund të jetë shënjestruar me spyware si Pegasus. Megjithatë, autorët e sulmit nuk janë identifikuar ende.

Bajiç beson se sulmi lidhet drejtpërdrejt me punën e tij hetimore. ““Sipas mendimit tim, përfshirja ime në këtë çështje ishte arsyeja e vetme për këtë sulm të paligjshëm me spyware”, deklaroi ai.

Vitin e kaluar, prokurorët ngritën aktakuzë ndaj zyrtarëve të lartë të regjimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke i akuzuar për keqpërdorim të detyrës në procesin e heqjes së statusit të mbrojtur të ndërtesës historike të Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.

Projekti parashikonte ndërtimin e një hoteli dhe kulle Trump me vlerë rreth 500 milionë dollarë, i udhëhequr nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Pas publikimit të aktakuzës, Kushner anuloi planet për projektin, ndërsa Vučić kritikoi prokurorët, përfshirë Bajiçin. Prokurori kishte deklaruar më herët se ishte larguar nga çështja pa shpjegime, pak para publikimit të aktakuzës.

Citizen Lab ka dokumentuar më parë sulme me spyware ndaj protestuesve kundër qeverisë serbe, përfshirë raste të konfirmuara të përdorimit të Pegasus.

Ndërkohë, përfaqësuesit e familjes Trump dhe të Kushnerit kanë mohuar çdo marrëveshje të tipit “paguaj që të luash” dhe çdo përfshirje në vendimin për heqjen e mbrojtjes ligjore të ndërtesës.

Të Ngjashme