Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali ka reaguar pas protestave të fundit të mijëra qytetarëve të cilët kanë kërkuar largimin e qeverisë Rama dhe kanë bërë thirrje për revolucion.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Spiropali ka goditur qeverinë e Ramës, duke deklaruar se Shqipëria ka hyrë në një moment të ri dhe që vendi duhet të ecë përpara.
Sipas saj Shqipëria duhet të tregojë se di të ndërtojë shtet edhe kur përplasen interesat e caktuara. Sipas saj, rotacioni politik nuk duhet te shihet si katastrofe, ndërsa fitorja e zgjedhjeve jo si pronësi.
Postimi i plote i Elisa Spiropalit:
Një Marrëveshje e re për Shqipërinë
Isha fëmijë kur nga pëshpërimat e familjarëve dhe ecejaket e farefisit mora vesh se në Sheshin Skënderbej diçka e pabesueshme, por e vërtetë kishte ndodhur.
Më vonë kuptova se diçkaja e jashtëzakonëshme që deri atë ditë nuk mund as të ëndërrohej, ishte një fakt kokëfortë, një realitet i prekshëm, një “herezi” që askujt nuk i lejohej ta shihte as në ëndërr: ishte një protestë spontane dhe e heshtur e qytetarëve të Tiranës kundër regjimit diktatorial të asaj kohe.
Protestat e zhurmshme dhe krijuese të këtyre ditëve, krahasuar me protestën e heshtur të atëhershme, nuk janë lapsus psikologjik, nuk janë déjà vu, nuk janë lajthitje cerebrale. Janë fakte sa të ndryshme dhe të ngjashme, që në kohën dhe rrethanat e tyre, kanë secila rëndësinë dhe efektet e veta, për të nxjerrë mësimet respektive, dhe, si të tilla, duhen shqyrtuar me seriozitetin dhe përgjegjësinë që meritojnë.
Ëhat’s done cannot be undone. Ç’u bë, nuk mund të ç’bëhet, thotë Lady Makbeth në skenën somnambul tek ecën në gjumë me qiri në dorë.
Është kollaj protestave të sotme t’u sillesh rrotull me llafe boshe, me konspiracione dhe hamëndje shterpe: Cilin krim kreu Lady Makbethi, pse i iku gjumi, pse ngrihej natën somnambul, pse mbante qiri në dorë?
Tani që të gjithë Makbethat vrasës dhe Hamletat dyshues kanë dalë sheshit dhe kanë hyrë në lojë, tani që vrasja është bërë, gjaku është derdhur, ndërgjegjet janë tronditur, gjumi është prishur, çfarë duhet bërë diçka tjetër? Jo diçka dosido. Diçka shekspiriane. Diçka e qëndrueshme. Diçka që po u bë, nuk zhbëhet.
Për fat, kjo pyetje ka përgjigje.
Çka duhet bërë sot është një marrëveshje e re për Shqipërinë.
Çdo epokë ka pyetjen e vet themelore. Për shumë vite pyetja e Shqipërisë ishte si të ndërtonte shtetin. Sot pyetja është tjetër. Si ta bëjë shtetin më të madh se pushteti dhe Institucionin më të fortë se ai që e ushtron pushtetin. Pikërisht këtu fillon nevoja për një marrëveshje të re për Shqipërinë.
Shqipëria ka hyrë tashmë në një fazë të historisë së saj ku sfida më e madhe nuk është më ndërtimi i pushtetit. Pushteti është ndërtuar. Institucionet ekzistojnë. Administrata ekziston. Ligjet ekzistojnë. Ekonomia është më e fortë se dikur. Demokracia është më e konsoliduar se në vitet e para të tranzicionit. Shqipëria e ka rritur reputacionin e saj në botë dhe duhet ta mbrojë me çdo kusht emrin e saj. Sfida e kohës sonë është diçka tjetër.
Është aftësia e pushetit për të vendosur kufij brenda vetvetes.
Për më tepër se tridhjetë vjet Shqipëria ka jetuar me ankthin e mungesës. Mungonin institucionet. Mungonin rrugët. Mungonin investimet. Mungonte siguria. Mungonte shteti. Breza të tërë u rritën me bindjen se problemi kryesor i vendit ishte, në mos mungesa e shtetit, dobësia e shtetit.
Sot për herë të parë po përballemi me një pyetje tjetër. Çfarë ndodh kur pushteti bëhet më i fortë se mekanizmat e po atij shteti që duhet ta kontrollojnë. Çfarë ndodh kur problemet e administratës shtohen më shpejt se llogaridhënia. Çfarë ndodh kur stabiliteti fillon të ngatërrohet me shkaqe dhe pasoja pa lidhje, të pa adresuara.
Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje të re me vetveten.
Një marrëveshje ku forca e shtetit të mos matet vetëm nga ajo që ndërton, por edhe nga pakësimi i aftësisë për të kontrolluar, ose ajo që me vetdijë pranon të mos kontrollojë. Një marrëveshje ku institucionet që mbikëqyrin pushtetin të jenë po aq, dhe më të afta se vetë pushteti.
Një marrëveshje ku parlamenti të mos jetë vetëm vendi ku miratohen vendime, por vendi ku dëgjohet shoqëria.
