Lajme

Protestë me tensione para Kuvendit, përplasje me policinë dhe mbi 20 të shoqëruar

Protesta e zhvilluar këtë të enjte para Kuvendit të Shqipërisë u shoqërua me tensione, përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, si edhe me disa shoqërime në komisariat. Qytetarët u mblodhën në hyrje të Parlamentit në kohën kur deputetët po hynin për seancën plenare, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Protestuesit hodhën vezë dhe sende të tjera në drejtim të automjeteve të disa deputetëve dhe ministrave, ndërsa nuk munguan thirrjet kundër mazhorancës, por edhe ndaj përfaqësuesve të opozitës, të cilët një pjesë e pjesëmarrësve i akuzuan për mungesë veprimi. Në disa momente situata u përshkallëzua, duke sjellë ndërhyrjen e forcave të rendit për të larguar turmën nga hyrjet e Kuvendit.

Policia përdori ujë me presion për të shpërndarë protestuesit pasi pati tentativa për të çarë kordonin e sigurisë, shkruan A2 CNN. Gjatë përplasjeve u raportuan të lënduar nga të dyja palët, ndërsa mbi 20 protestues u shoqëruan nga efektivët.

Zona përreth Parlamentit ishte nën masa të rrepta sigurie që prej orëve të para të mëngjesit, me prani të shtuar të forcave të policisë dhe kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore. Pavarësisht tensioneve, seanca plenare u zhvillua sipas parashikimit brenda godinës së Kuvendit.

Të Ngjashme