Fermerët sot kanë protestuar para Ministrisë së Bujqësisë duke kërkuan që të nis grumbullimi i qumështit, pasi prej katër ditësh është ndaluar përkohësisht prodhimi i tij.
Protesta nisi në orën 13:00 ku fermerët erdhën me traktorët dhe mjetet e tyre të punës së bashku me boritë që nuk pushonin.
Më pas, ata nisën të derdhin qumështin fillimisht në oborrin e ministrisë, e më pas edhe pranë institucionit.
Kur fermerët provuan të afroheshin pranë ministrisë, patë disa mosmarrëveshje mes tyre dhe zyrtarëve policorë, megjithatë ata nuk u ndalen duke u ofruar deri afër objektit të ministrisë.
Gjatë protestës ata kishin edhe parullat si “Fermeri nuk është armiku”, “Mos prekni vendet e punës”, “Mos na leni pa bukë”, “Puna jonë, e drejta jonë” e të tjerë.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Qumështarëve, Fidan Krasniqi tregoi arsyet e mbajtjes së protestës.
Krasniqi: Tash e një vit kërkojmë konkurrencë të barabartë
“Jemi mbledhur para Ministrisë së Bujqësisë ne si shoqatë e prodhuesve të qumështit në përkrahje të fermerëve tonë, anëtarësisë sonë, pikave grumbulluese, të gjithë akterëve, grupeve të interesit sepse ne jemi prodhues të këtij vendi dhe prodhojmë qumështin, për këtë vend, për këtë popullatë. Tash e një vit trokasim nëpër dyert e shtetit duke njoftuar ministritë përkatëse lidhur me gjendjen e krijuar në këtë sektor dhe duke kërkuar të merren masa që garantojnë investime dhe siguri të produkteve tona që të kemi konkurrencë të barabartë dhe jo importe me çmime të subvencionuara nga Serbia, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe e gjithë regjioni. Të gjithë ju jeni dëshmitarë të këtyre produkteve dhe na akuzoni neve pse ato produkte shiten nëpër raftet tona me çmime shumë të lira”, tha Krasniqi.
Ndërsa Kushtrim Tigani, pjesëmarrës në protestë kërkoi që të publikohen rezultatet për prezencën e qumështit pluhur.
Tigani: Ministria e Bujqësisë dhe AUV të dal me rezultate
“Ne si qumështore më e madhe në Kosovë e grumbullojmë mbi 50% të qumështit të Kosovës. Të gjithë këta bujq e sjellin qumështin te ne mbi 100 mijë litra në ditë. Disa ushtarë të Facebookut që po dalin dhe po e baltosin këtë fermer punëtor dhe gjithë ata fermerë të cilët e prodhojnë qumështin dhe e përpunojmë qumështin i bëj thirrje sa më parë ministrit të Bujqësisë, AUV-it të dalin me rezultate ato të cilat i kanë gjet për prezencën e qumështit pluhur, që nuk ka qumësht pluhur edhe këta e dinë që nuk ka qumësht pluhur, le të dalin me rezultat sa më parë edhe për analiza të qumështit “Vita” i duhen me javë me analiza me dal rezultati”, tha Tigani.
Protestuesit me mjetet e tyre kanë përfunduar protestën. Kurse, aktualisht po mbahet një takim mes Ministrisë së Bujqësisë dhe fermerëve, ku pas takimit pritet të deklarohen.
