Protesta e së mërkurës në Tiranë është përshkallëzuar në mbrëmje, me incidente të rënda pranë Komisariatit nr. 2, ku protestuesit kanë thyer xhamat e godinës, kanë dëmtuar sende dhe kanë hedhur molotovë brenda ambienteve të institucionit.
Sipas informacioneve paraprake, protestuesit kanë hedhur gjithashtu sende të forta dhe fishekzjarrë në drejtim të godinës, ndërsa raportohet se një makine policie brenda komisariatit i është vënë flaka.
Situata është rënduar edhe për efektivët e Policisë, të cilët janë goditur me sende të forta.
Një prej tyre raportohet se është goditur në kokë dhe ka mbetur i shtrirë në tokë.
Pas përshkallëzimit të situatës, në zonë kanë mbërritur forca të shtuara policore me qëllim shpërndarjen e turmës dhe rivendosjen e rendit.
Raportohet gjithashtu për disa arrestime gjatë përplasjeve.
Pas tubimit pranë Kryeministrisë dhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit kanë zhvendosur marshimin drejt Ministrisë së Drejtësisë, ku, sipas raportimeve, i kanë vënë zjarrin godinës.
Tensione janë raportuar edhe në zonën nga Don Bosko drejt hyrjes së Bulevardit “Zogu I”, ku situata paraqitet e rënduar./teve1.info/
