Lajme

Publicistja Buçpapaj godet opozitën: Po veprojnë si strucat, bojkotuesit s’i duhen popullit

Publicistja Elida Buçpapaj ka reaguar ashpër ndaj partive opozitare në Kosovë, duke i kritikuar për bojkotimin e seancave të Kuvendit dhe duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e qëndrimeve të tyre politike.

Në një shkrim të publikuar së fundmi, Buçpapaj thekson se deputetët që bojkotojnë Kuvendin “nuk i duhen popullit”, duke argumentuar se në një sistem demokratik vendimmarrja bëhet përmes votës dhe jo përmes bojkotit.

Ajo kundërshton akuzat e opozitës për shkelje të Kushtetutës nga mazhoranca, duke thënë se është e paqëndrueshme që njëra palë të akuzohet për “grusht shteti”, ndërsa pala tjetër të arsyetojë bojkotin si veprim të drejtë.

Në reagimin e saj, Buçpapaj përmend rezultatet zgjedhore të partive opozitare si Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke theksuar se rënia e mbështetjes elektorale tregon mungesë besimi nga qytetarët.

Ajo kritikon edhe liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për rezultatin në zgjedhje, duke sugjeruar se ai duhej të jepte dorëheqje pas rënies së përkrahjes.

Sipas Buçpapajt, zgjidhja e vetme mbetet marrëveshja politike mes palëve, duke u bërë thirrje opozitës që të propozojë kandidat për president dhe të kontribuojë në zgjidhjen e ngërçit institucional.

Në fund, ajo thekson se qytetarët janë të vetëdijshëm për veprimet e partive politike dhe, sipas saj, do të japin verdiktin e tyre në proceset e ardhshme zgjedhore.

Shkrimi i plotë:

Këta që bojkotojnë Faltoren e Kuvendit të Kosovës popullit nuk i vyjnë. Maxhoranca i sjell kandidatët, shkelka Kushtetutën dhe bëka grusht shteti, këta që bojkotojnë nuk e shkelkan Kushtetutën dhe nuk bëkan grusht shteti.

Nuk i ka nxjerrë Albini humbësa, por populli që nuk u beson dhe ata kanë dalë humbësa pikërisht për veprimtarinë e tyre anti shtetformuese. PDK, LDK, AAK me rezultate 20 %, 13% e 5.5% nuk kanë fuqi vote. Se në një sistem demokratik lëvizet me fuqinë e votës e jo të bojkotit. Aq më tepër kur cikli i tre palë zgjedhjeve i ka nxjerrë humbës.

Opsioni i fundit është marrëveshja politike. Le ta kandidojnë presidentin/en, sepse e hodhën poshtë edhe propozimin për postin e kryeparlamentarit, edhe të nenkryeministrit me 4 portofole ministrore.

Abdixhiku që në zgjedhjet e shkurtit 2025 fitoi 18% e ato të dhjetorit humbi me 13% e tash na bën moral, në vend se të kishte dhënë dorëhqje, sikur Rambo që dha sa për sy e faqe sepse në zgjedhjet e dhjetorit e kaloi pragun veç për një qime! Po veprojnë si strucat, po e fusin kokën në rërë e po kujtojnë se populli nuk po i sheh! Në fakt, po i sheh mirë se cilët janë! Dhe ka me jua rregullu mirë samarin

Të Ngjashme