Puna gjatë natës nuk ndikon vetëm te gjumi dhe ritmi biologjik i organizmit, por mund të shoqërohet edhe me ndryshime metabolike që rrisin rrezikun kardiometabolik. Një studim i ri europian, i publikuar në European Journal of Public Health, ka analizuar 860 punonjës në Suedi, Spanjë dhe Danimarkë, duke krahasuar ata që punojnë gjatë natës me personat që punojnë vetëm gjatë ditës.
Sipas rezultateve, punonjësit e turneve të natës kishin mesatarisht tension më të lartë sistolik dhe indeks më të lartë të masës trupore. Ata rezultuan me 38% më shumë gjasa për të zhvilluar hipertension dhe 37% më shumë gjasa për të qenë mbipeshë ose obezë. Këto lidhje mbetën të dukshme edhe pasi u morën parasysh faktorë si mosha, gjinia, aktiviteti fizik, duhani, alkooli dhe ushqyerja.
Studiuesit vunë re gjithashtu ndryshime në përbërjen metabolike të gjakut te personat që punojnë natën. U gjetën nivele më të ulëta të disa acideve yndyrore të pangopura dhe përqendrime më të larta të yndyrave të ngopura e mono të pangopura, si dhe të disa aminoacideve. Këto ndryshime u lidhën drejtpërdrejt me peshë më të lartë trupore dhe rritje të presionit të gjakut.
Efektet dukeshin edhe më të theksuara te personat që kryenin më shumë turne nate radhazi gjatë javës dhe te ata që punonin vetëm gjatë natës, duke sugjeruar një lidhje mes kohëzgjatjes së ekspozimit dhe ndikimit në shëndet. Sipas ekspertëve, shkak mund të jetë çrregullimi i ritmit cirkadian, i cili ndikon në gjumin, hormonet dhe mënyrën se si trupi përpunon yndyrnat dhe glukozën.
Studiuesit theksojnë se bëhet fjalë për një studim vëzhgues dhe nuk mund të provojë drejtpërdrejt shkak-pasojën. Megjithatë, gjetjet përforcojnë të dhënat e mëparshme se puna e zgjatur gjatë natës mund të jetë një faktor i rëndësishëm rreziku për shëndetin kardiometabolik, ndërsa kufizimi i turneve të natës të njëpasnjëshme mund të ndihmojë në reduktimin e këtyre efekteve.
/vizionplus.tv
