Eksperti i sigurisë Avni Islami ka deklaruar se politikat e presidentit serb Aleksandar Vuçiç ndaj Kosovës përfaqësojnë vazhdimësi të strategjisë së ish-regjimit të Slobodan Milosheviç, duke ndryshuar vetëm në formë, por jo në përmbajtje.
Sipas Islamit, përdorimi i retorikës nacionaliste dhe i simboleve si Vidovdan shërben si pjesë e një lufte hibride për të mbajtur të tensionuar situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Ai theksoi se, pavarësisht kësaj retorike, Kosova është shtet sovran dhe institucionet e sigurisë, në bashkëpunim me KFOR, kanë kapacitetet e nevojshme për të garantuar integritetin territorial dhe për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi.
Shkrimi i plotë:
Reagim me shkas,
Politikat e Vuçiqit dallohen vetëm nga forma e jashtme, por jo nga përmbajta brendshme, pasi qëllimet e tij mbeten të njëjta me ato të Millosheviqit
Politika e jashtme e Aleksandar Vuçiqit ndaj Republikës së Kosovës përfaqëson një vazhdimësi të drejtpërdrejtë strategjike të doktrinës destabilizuese të regjimit të Millosheviqit.
Gjatë ceremonive zyrtare, përfshirja e njësive elitare si Xhandarmëria Serbe në glorifikimin e teksteve me përmbajtje irredentiste – siç është refreni “Kur do të kthehemi në Kosovë” – nuk përbën një incident të izoluar, por një operacion të koordinuar psikologjik . Ky instrumentalizim i elementeve fetare dhe kulturore, veçanërisht rreth narrativës së Vidovdanit, përdoret si mjet i luftës hibride për të mbajtur të tensionuar mjedisin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Pavarësisht kësaj retorike të projektimit të forcës, realiteti gjeopolitik mbetet i pandryshueshëm: Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Institucionet e Sigurisë së Kosovës, në sinkronizim të plotë operacional me KFOR-in (NATO-n), zotërojnë kapacitetet e plota të inteligjencës, parandalimit dhe reagimit taktik për të garantuar integritetin territorial dhe për të neutralizuar çdo kërcënim asimetrik apo konvencional.
