Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin e Gani Gecit, i cili është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.
Në njoftimin e saj, Prokuroria ka bërë të ditur se ndalimi është urdhëruar nga prokurori kujdestar, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Kanosja”, sipas nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, transmeton “Bota sot”.
Sipas Prokurorisë, G.G. dyshohet se e ka kanosur gazetarin L.M. për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij.
Në kuadër të hetimeve, janë intervistuar si gazetari, në cilësinë e të dëmtuarit, ashtu edhe i dyshuari. Prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe sigurimit të provave relevante.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ritheksuar përkushtimin për mbrojtjen e gazetarëve, garantimin e sigurisë së tyre dhe respektimin e lirisë së shprehjes.
