Lajme

​Rasti tragjik në Malishevë, familja e Jetlira Foniqit kërkon drejtësi

Familja e Jetlira Foniqit, 25-vjeçares që dyshohet se u vra nga burri i saj në Kërvasari të Malishevës, lajmin e ka marrë sot pas orës 02:00 të mesnatës.

Kështu ka thënë djali i axhës së të ndjerës, Flamur Foniqi, i cili në një prononcim për KosovaPress tha se si familje besojnë se bija e tyre është vrarë

Foniqi tha se si familje presin konstatimin e plotë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ndërsa bëri thirrje për drejtësi të plotë në lidhje me ngjarjen.

“E ndjera është vajza e axhës, për të cilën sot pas orës 02:00 të mesnatës e kemi marrë lajmin për rastin tragjik. Nëse flasim për informacionet e mëngjesit, ne e dimë dhe besojmë shumë se si familje, e bija jonë është privuar nga jeta. Ka ndodhë përmes aktit të vrasjes edhe me këtë qëndrojmë, ndërsa konstatimet tjera i presim prej Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Jemi në dhimbjen tonë, është privuar nga jeta bija jonë dhe prej këtu bëjmë thirrje në arritjen e drejtësisë së plotë”, tha ai për KosovaPress.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se viktima, e cila ishte shtatzënë tash e 34 javë, ka ndërruar jetë pas plagosjes me armë zjarri.

Sipas informacioneve të policisë, në dhomën e gjumit janë gjetur të plagosur 25-vjeçarja dhe bashkëshorti i saj, 26-vjeçar. Personi që po trajtohet si i dyshuar në këtë rast është Egzon Bytyqi, 26 vjeç.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, i ka thënë KosovaPress-it se rasti është raportuar më 23 gusht 2026, rreth orës 23:20.

Të plagosurve fillimisht u është ofruar ndihma e parë mjekësore, ndërsa më pas janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast.

Rreth orës 01:10, Policia është njoftuar nga QKUK-ja se 25-vjeçarja kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Të Ngjashme