Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Reagon drejtoresha e RTV 21: Pezullimi i certifikatës së biznesit të Klan Kosovës është i pamatur

Drejtoresha e RTV 21, Afërdita Saraqini-Kelmendi ka thënë se pezullimi i certifikatës së biznesit të Klan Kosovës është i pamatur karshi një televizioni shumëvjeçar, të etabluar e me programacion gjithpërfshirës.

Ajo ka shkruar në Facebook se nuk mbyllet televizioni si dhe nuk mund të revokohet licenca e transmetimit nga ana e asnjë organi të qeverisë ngase siç ka shtuar ajo televizioni i jep përgjegjesi vetëm Komisionit të Pavarur për Media.

“Televizioni si koncept është institucion! Dhe kur ke të bësh me një institucion, atëherë edhe hapat karshi tij nuk duhet të bëhen në mënyrë arbitrare! “

“Në hetime mund të dërgohen bartësit e regjistrimit e jo Televizioni , stafi e programi! Nuk mbyllet e ndalohet Televizioni! Nuk revokohet licenca e transmetimit nga ana e asnjë organi të qeverisë ngase Televizioni i jep përgjegjësi vetem KPM ( Komisionit të Pavarur të Mediave) !”.

“Mund të ndalet puna e administratës, e pagesave deri në sqarimin e situatës, por jo e gazetarëve dhe transmetimit!. Deri sa KPM nuk ka gjetur ndonjë shkelje që ka të bëjë me transmetimet dhe programacionin kjo nuk mund të bëhet!

“Prandaj të gjithë ata që mendojnë se është i kollajshëm rrënimi dhe mbyllja e një Televizioni shumëvjeëar e kanë gabim! “

Drejtuesja e televizionit 21 thekson mes tjerash se puna e televizionit Klan Kosova është publike dhe ka audiencën e vet dhe “nuk mund të vlerësohet nga shkrimet e kundërshtareve të FB ose të atyre qe nuk e duan pronarin!”

“Pa hyrë më tutje ne argumentime të kota populiste vlerësoj se mënyra e veprimit është e rrezikshme për pavarësinë mediale të Kosoves! Spektri medial në Kosovë është shumëngjyrësh dhe këtu qëndron edhe fuqia mediale e Kosovës por edhe demokracia funksionale e një vendi”.

“Nëse tentohet që të pushohet puna e një mediumi të madh, kjo dëshmon përpjekje të kontrollit të hapësirës mediale të Kosovës, me këtë edhe të fjalës e shprehjes së lirë! Cenimi i fjalës e shprehjes së lirë është fillimi i fundit të demokracisë së këtij vendi! “

“Zbatimi i politikës së këtillë karshi medias na bën t’ i ngjajmë Serbisë, e cila së fundi po vepron në të njëjtën mënyrë karshi dy- tri mediumeve të fundit të pavarura atje!

“Së fundi, televizionet shumëvjeçare në Kosovë, janë pjesë e ndërtimit dhe ngritjes së kapaciteteve institucionale e shtetërore të Kosovës! Jane hisedar në ndërtimin e shtetit dhe i takojnë Kosovës. Jo politikanëve dhe vendimarrjes së tyre për t’ i mbyllur apo hapur ato kur ata duan!