Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka mohuar pretendimet se sulmi me dron detar ndaj një korvete ruse është nisur nga territori shqiptar.
Përmes një reagimi publik, ministria i ka cilësuar këto raportime si të pasakta dhe në kundërshtim me faktet, duke theksuar se Shqipëria nuk ka pasur asnjë përfshirje në incident dhe se territori i saj nuk është përdorur apo vënë në dispozicion për nisjen ose lehtësimin e një sulmi të tillë.
Ministria i ka hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime, duke thënë se janë publikuar pa prova të verifikueshme. Ajo u ka bërë thirrje përgjegjësve për përhapjen e tyre që të korrigjojnë informacionet dhe të tregojnë saktësi e përgjegjësi në raportimin e çështjeve të ndjeshme.
