![](https://i0.wp.com/www.fiks.al/wp-content/uploads/2023/09/reagon-rama-pas-intervistes-se-thacit-gjykimi-ne-hage-ngre-pikepyetje-mbi-nivelin-e-respektimit-te-parimit-demokratik_64f6d748e0d84.png?resize=750%2C375&ssl=1)
Pas intervistës së ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga Haga, ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Rama ka shpërndarë me mëngjes videon e intervistës dhe ka shkruar se ndaj Thaçit po zhvillohet një gjykim që sa më shumë vazhdon, aq më shumë ngre pikëpyetje mbi nivelin e respektimit të parimit themelor demokratik të “procesit të drejtë”.
“Dhe me këtë intervistë të Presidentit të Republikës së Kosovës e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mikut tonë e vëllait tim Hashim Thaçi, i cili ka folur për herë të parë qysh nga dita e kyçjes në burgun e Hagës, ku po zhvillohet një gjykim që sa më shumë vazhdon, aq më shumë ngre pikëpyetje mbi nivelin e respektimit të parimit themelor demokratik të “procesit të drejtë”, ju uroj një ditë të mbarë të gjithëve ju, në Shqipëri e në Kosovë”, ka shkruar Rama.
Thaçi në intervistën e tij nga Haga ka folur edhe për kryeministrin shqiptar, Edi Rama. I pyetur për marrëdhëniet e tij me kreun e qeverisë shqiptare, ndër të tjera, Thaçi ka rrëfyer edhe vizitën e Ramës tek ai në Hagë.
Ai tregoi se në Ramën kishte një bisedë të ngrohtë dhe vëllazërore, jashtë kontekstit politik dhe procesit gjyqësor.
Thaçi shprehu respektin dhe admirimin e tij për kryeministrin shqiptar dhe angazhimin e tij në rrugën drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.