Lajme

Rënia e votuesve më 7 qershor, shkak i mungesës së mërgatës – pritet rritje e përqindjes nga votat e diasporës

Zgjedhjet e fundit të 7 qershorit kanë sjellë disa ndryshime, krahasuar me ato të 28 dhjetorit. Ndryshimi që vihet re më tepër, ka të bëjë më rënien e numrit të votuesve. 

Kështu, krahasuar me rezultatin preliminar në zgjedhjet e dhjetorit 2025, shumica e partive kryesore kanë marrë më pak vota në zgjedhjet e vitit 2026, duke reflektuar pjesëmarrjen më të ulët të votuesve në këtë proces zgjedhor.

Pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë rreth 35%, duke e krahasuar me ato të gjashtë muajve më parë, kur votuan rreth 45% e qytetarëve të Kosovës.

Për të interpretuar këtë rënie të votuesve dhe faktorët kryesorë që ndikuan në këtë pikë, kanë folur për ‘Bota sot’, njohësit e politikës dhe ligjit.

Ata vlerësojnë se qytetarët po e kuptojnë gjithnjë e më shumë se gjendja politike nuk mund të vazhdojë kështu, për shkak të dështimit të partive për të zgjidhur problemet dhe mungesës së seriozitetit në qeverisje. Injorimi i qytetarëve dhe problemet ekonomike po rrisin pakënaqësinë dhe po shtyjnë drejt kërkesës për alternativa të reja politike.

Mehmeti: Dallimin kryesor e ka bërë mërgata, ndërsa votuesit rezidentë kanë qenë pothuajse të njëjtë si në zgjedhjet e kaluara

Analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot” theksoi se rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje është më shumë e perceptuar sesa reale, duke shtuar se qytetarët rezidentë kanë votuar pothuajse në të njëjtin nivel si në zgjedhjet e kaluara.

Image
Faton Mehmeti

Sa i përket rënies, kjo ka qenë e pritur në kuptimin që qytetarët janë lodhur, por më tepër kjo rënie ka të bëjë me numrin e mërgatës që ka ardhur për të votuar në Kosovë.”

Sipas Mehmeti, krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit, pjesëmarrja e qytetarëve rezidentë ka mbetur pothuajse e pandryshuar, duke theksuar se “mbi 90 për qind, për të mos thënë 95 për qind e atyre që kanë votuar atëherë, kanë votuar edhe tani”.

Ai vlerëson se dallimi kryesor qëndron te mërgata, e cila këtë herë ka qenë më pak e pranishme në vend për të votuar, ndërsa një pjesë tjetër është regjistruar për votim me postë.

Një pjesë e mërgatës që nuk ka ardhur fizikisht është regjistruar për të votuar me postë. Nga rreth 70 mijë të regjistruar më herët, këtë herë janë mbi 133 mijë”, thotë ai.

Sipas tij, nëse përfshihen votat e diasporës, pjesëmarrja shkon mbi 40 për qind dhe ndryshimi del minimal krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Në zgjedhjet e kaluara pjesëmarrja ka qenë 43 ose 44 për qind, ndërsa tani është rreth 37 për qind. Me votat e diasporës shkon rreth 42 për qind”, thekson Mehmeti.

Ai shton se, nëse vendi do të shkojë sërish në zgjedhje, pret që bojkoti i qytetarëve rezidentë të rritet.

“Përndryshe, këto zgjedhje më shumë janë bërë temë mediatike sesa që ka pasur një rënie reale të pjesëmarrjes”, përfundon Mehmeti.

Burjani: Mungesa e bashkëpunimit, neglizhimi i problemeve dhe sjellja e partive po shtyn drejt kërkimit të alternativave të reja politike

Po ashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe profesori dhe njohësi i temave juridike, Blerim Burjani.

Image
Blerim Burjani

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” përmend disa nga arsyet për rënien e numrit të votuesve. 

Për shkak të dështimit për të zgjidhur probleme të shumta, mosseriozitetit, mungesës së bashkëpunimit dhe kompleksitetit të vazhdueshëm, si dhe injorimit të qytetarëve, sidomos në aspektin ekonomik, të gjithë ngadalë po binden se kjo gjendje nuk do të tolerohet më.

Ai shton se, sipas tij, qytetarët po e kuptojnë gjithnjë e më shumë rolin e tyre në vendimmarrje:

Populli vendos për këto parti dhe jo partitë të luajnë me vullnetin e qytetarëve.”

Burjani thekson se problemet e shumta nuk janë adresuar siç duhet.

“Moszgjidhja e shumë problemeve as që ka filluar ndonjëherë seriozisht. Qytetarët e kanë kuptuar se kështu nuk mund të vazhdohet më.

Ai kritikon qasjen e partive ndaj qytetarëve.

“Sikur qytetari të mos kishte rëndësi, ndërsa partitë të kishin gjithë peshën. Kjo nuk duhet të tolerohet.”

Në fund, ai lë të hapur mundësinë e ndryshimit politik.

Ose duhet të punojnë për qytetarët, ose nuk duhet të votohen më. Nëse vazhdojnë kështu, duhet të ketë angazhim më të madh për krijimin e alternativave të reja.”

Të Ngjashme