Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka deklaruar se ende nuk ka një afat konkret për miratimin e strategjisë shtetërore për mbështetjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në emisionin “Intervista e javës” në kp, ai ka thënë se grupi strategjik do ta përcaktojë fushëveprimin e tij në ditët në vijim, ndërsa si model për këtë proces është diskutuar ai kroat. Rexhaj ka sqaruar se grupi nuk do ta ushtrojë funksionin e avokatëve mbrojtës, por do të angazhohet në mbështetjen logjisitike, financiare dhe në aspektin diplomatik.
Qeveria, më 14 tetor, themeloi grupin punues për hartimin e strategjisë shtetërore për ish-krerët e UÇK-së, pas dënimit në shkallë të parë nga Gjykata Speciale.
Ja kur do të miratohet strategjia shtetërore për ish-krerët e UÇK-së
“Tash, modeli që është marrë, që u diskutua, dhe jo vetëm prej Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo edhe prej subjekteve të tjera, është modeli kroat. Jo pse përputhet, ta themi, në kuptimin sepse atje është një operacion ‘Stuhia’, këtu nuk ka pasur një gjë të tillë, por megjithatë si model është, meqenëse është, domethënë, në këtë Evropën Juglindore, në Ballkan, mendoj që është i arsyeshëm. Unë besoj saktësisht, pra, që ky grup strategjik do të formojë, ta themi, fushëveprimin e vet edhe në ditët në vazhdim do të jetë efektiv në aspektin e mbrojtjes. Mirëpo nuk bën t’i përzieni dy gjëra. Avokatët e tyre mbrojtës e kryejnë këtë fushën e mbrojtjes në aspektin legjislativ, sepse ky grup nuk e bën mbrojtjen, madje, nëse e dini… Edhe diplomatik, madje, sepse duhet edhe të lobohet në aspektin diplomatik që përfundimisht të hiqet kjo ndërmarrje e përbashkët kriminale edhe realisht të rikthehet në vend reputacioni i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe i Republikës së Kosovës”, tha ai.
Për ligjin e sapomiratuar që lidhet me Dhomat e Specializuara në Hagë, Rexhaj deklaroi se LVV-ja ka dilema për kushtetutshmërinë dhe shqetësimet e ngritura nga Bashkimi Evropian.
Çfarë dilemash ka LVV-ja për ligjin për Specialen?
“Për dilema në aspektin e kushtetutshmërisë, unë nuk jam i fushës, mirëpo po i përmend disa, meqenëse po insistoni në çfarëdo forme. Dilema rreth kushtetutshmërisë, dilema se si do të reagojë Bashkimi Evropian, institucionet relevante evropiane. Keni insistuar shumë edhe keni garantuar që ky ligj, pra, i përmbush të gjitha kriteret për të vazhduar më pastaj edhe formon atë mbrojtjen e tyre e të tjera e të tjera, sjell dobi në këtë kuptim. Ne kemi pasur dilema të cilat i kemi shprehur. Dhe tash, normalisht që është përgjegjësi institucionale, në asnjë formë nuk po them që nuk është, mirëpo ne kemi thënë që përgjegjësia politike mbetet te kjo. Normalisht, tash përgjegjësinë e marrin institucionet e Kosovës”, shtoi ai.
I pyetur për qëndrimet e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, për Gjykatën Speciale dhe për dallimet e mundshme brenda LVV-së pas miratimit të Ligjit për Specialen, Rexhaj ka thënë se nuk sheh problem në deklarimet e saj. Ai ka vlerësuar se mbështetja ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të jetë përtej dallimeve partiake dhe të përfshijë institucionet, partitë politike dhe shoqërinë civile.
A ka dallime Lëvizja Vetëvendosje me Donika Gërvallën për ligjin për Specialen? Kjo është përgjigjja e deputetit të LVV-së
“Zonja Gërvalla më herët ka qenë në LDK dhe, pra, nëse e vëreni, ato deklarime të cilat i ka bërë kanë qenë në kohën e LDK-së. Mirëpo nuk shoh problem, sepse zonja Gërvalla e ka thënë vetë, pa dashur që t’ia bëj mbrojtjen asaj, sepse nuk ka nevojë. Ajo është, pra, vajza e një personi intelektual, i cili ia ka dhënë edhe jetën për Kosovën. Edhe e dyta, mendoj që veprimi i saj, kontributi i saj, gjithmonë ka qenë në linjën kombëtare. E ka qartësuar shumë qartë që, pra, nuk ka të bëjë personalisht asgjë me Gjykatën Speciale. Pse, kur të kishte, pra, deri tash do të kishim akuza nga më të ndryshmet në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, madje edhe vetë asaj. Tash, për mendime, ne jetojmë këtu, i dimë mendimet e secilit. Sigurisht. LDK-ja, si LDK, nuk e voton ligjin në Kuvendin e Kosovës edhe e dërgon njeriun. Pra, mendoj që kjo është përtejpartiake. Ashtu, së paku, duhet të jetë. Pra, në këto momente, mendoj që këto dallime të politikës e kanë fjalën në apel. Jashtë kësaj, ata mund të mendojnë edhe normalisht si duan vetë, se nuk mund të ndikosh, në fund të fundit, në mendimin e asnjërit e asnjërës. Mirëpo, në këtë fazë, mendoj që në apel, megjithatë, ka një lloj dakordimi të gjithëpartiak që të jemi bashkë. Edhe kjo nuk është vetëm gjithëpartiake, është, pra, gjithëpërfshirëse: institucionale, parlament, grup parlamentar, parti politike, shoqëri civile e të tjera e të tjera”, theksoi Rexhaj.
Rexhaj ka komentuar edhe deklaratat e Daut Haradinajt nga Aleanca lidhur me pretendimet për praninë e bombave në protestat e 5 dhe 6 tetorit. Ai i ka kërkuar Haradinajt të tregojë se ku i ka parë ato, duke thënë se pretendimet për mjete të tilla duhet t’u raportohen organeve kompetente.
Deputeti i LVV-së i kërkon sqarime Haradinajt: Tregoji prokurorisë ku i ke parë ato bomba në protestë
“Po mendoj që fillimisht është gabim konceptual kur, ta themi, një ish-ushtarak i UÇK-së, një familje e nderuar si familja Haradinaj, një pjesëtar i një subjekti politik, pra, t’i theksoj dy gjëra. Po mundohem që ta artikuloj në aspektin parimor. E para, mendoj që është problematike të thuhet: ‘Unë kam parë protestues me bomba aty’, madje edhe në mediume publike. Dhe e dyta, pra, mbi bazën e artikulimit që ai e shpjegon, ai tregon për një narracion të protestës, ku ka qenë ose nuk ka qenë i njoftuar zoti Haradinaj. Tash kjo menjëherë bëhet domen i prokurorisë. Mendoj që, megjithatë, ai duhet të na tregojë ku i ka parë këto bomba, sepse bomba është cenim i sigurisë kombëtare. Pra, kur thuhet që ka në këtë vend njerëz të cilët kanë qenë të mllefosur me mosveprimin, ta themi, të Kuvendit të Kosovës në fjalën e paravotimit të ligjit, mendoj që është precedent penal për ne të diskutojmë dhe të tregojmë, zotëri Haradinaj, pse? A ka qenë agjendë, pra, që të ketë persona të armatosur t’i sulmojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës, qeverinë? Apo kush janë ata? Sikur të isha në vendin e tij si deputet i Kuvendit të Kosovës, madje edhe si personalitet politik, çfarë është ai, unë do ta lajmëroja policinë, sepse bomba, si mjet, është problematike. Protestat bëhen me kauza, bëhen me agjendë të qartë në kuptimin e një kauze, siç ka qenë ajo. Deri këtu jemi në rregull”, theksoi Rexhaj.
Ai ka treguar gjithashtu se gjatë protestës së 5 tetorit, vetura e tij ishte goditur me gurë dhe tulla. Sipas tij, ai e kishte njoftuar policinë, ndërsa reagimin e saj e ka vlerësuar si profesional.
“Më është thyer vetura, kam mundur të lëndohem”, deputeti i LVV-së për protestën e 5 tetorit
“Mua më është thyer vetura kur kam dalë prej Kuvendit të Kosovës. Protestuesit ma kanë zënë veturën dhe më kanë gjuajtur me tulla dhe gurë. Unë e kuptoj mllefin e tyre. Tash po e marr shembullin personal, po për mua, domethënë, duke e ditur që Vetëvendosja vetë ka organizuar protesta, a më kanë cenuar? Po, e kam lajmëruar aty, në rastin e policisë, pra, është gjëja më normale. Tash, në ato momente, prapë po e marr shembullin personal, ka mundur të dëmtohem shumë, mirëpo e kuptoj protestën dhe këto gjëra ndodhin në protestë. Protestuesi hedh gurë në protestë. A është mirë? Nuk është, mirëpo hedh gurë, hedh tulla, hedh fishekzjarre. Policia, në anën tjetër, e mbron rendin. Mund të ketë ndonjë shtytje, po nuk mendoj që ka pasur tejkalim të përgjegjësisë së policisë. Mendoj që ka qenë shumë profesionale, nga ajo që kam analizuar. Mund të ketë kuturu ndonjë gjë”, tha ai.
Sa i përket presidentes, Justina Shiroka-Pulës, Rexhaj e ka cilësuar atë si emër konsensual që mund të kontribuojë në paanësi politike dhe stabilitet.
Rexhaj: Justina Shiroka-Pula si presidente garanton paanësi politike
“Meqenëse është emër konsensual, ose emër i një marrëveshjeje politike, mund ta quajmë edhe kështu, mes dy subjekteve politike, pra, emër që e garanton një lloj paanësie, mendoj që e krijon një lloj stabiliteti politik. Nuk është emër i vullnetit politik të Lëvizjes Vetëvendosje. Ne e kishim emrin tonë, ishte zoti Konjufca, e dhamë madje në fillim të propozimit. Dhe natyrisht, tash pres prej zonjës Justinë që të marrë përgjegjësitë e veta në kuadër të obligimeve të saj shtetërore, që t’i zbatojë ato në përpikëri”, përfundoi deputeti Rexhaj
