Sot, pas 27 vitesh në Prekaz të Epërm, në varrezat e lagjes Bregaj, është organizuar ceremonia e rivarrimit të Sinan Dautit.
Historia e Sinanit është një ndër rrëfimet më të dhimbshme që dëshmojnë tragjedinë e përjetuar gjatë luftLufta e Kosovës. Në pranverën e vitit 1999, në Drenica, familja Dauti, si shumë familje shqiptare, kërkoi strehim për t’i shpëtuar dhunës së forcave serbe.
Gratë dhe fëmijët u fshehën në një podrum, por edhe aty u sulmuan me armë automatike. Në atë moment tragjik, Sinani, ende fëmijë, u plagos rëndë në duart e nënës së tij Lumnije, e cila vetë ishte e plagosur. Me një forcë të jashtëzakonshme, ajo e mori në shpinë dhe u përpoq ta shpëtonte duke e dërguar nga Prekaz deri në Klinë e Ultë, e më pas në spitalin e Mitrovicë.
Megjithatë, familjes nuk iu lejua ta shoqëronte dhe pas pak ditësh erdhi lajmi se Sinani nuk kishte mbijetuar. Për afro 27 vite, ai mbeti në listën e personave të zhdukur, derisa mbetjet e tij mortore u gjetën në Suhodoll.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu mbajti një fjalim prekës në ceremoninë e rivarrimit të Sinanit, duke e cilësuar këtë ditë si një moment të rëndë dhimbjeje, por edhe të kujtesës kolektive. Ajo theksoi se pas 27 vitesh pasigurie dhe pritjeje, më në fund familja dhe gjithë shoqëria kanë një vend ku mund ta kujtojnë dhe nderojnë Sinanin
Haxhiu: Sinani ishte vetëm nëntë vjeç, një fëmijë që duhej të rritej mes lojës, shkollës dhe ëndrrave
“Sinani ishte vetëm nëntë vjeç, një fëmijë që duhej të rritej mes lojës, shkollës dhe ëndrrave për të ardhmen, por jeta e tij u ndërpre në mënyrë tragjike në ditët më të errëta të luftës në Kosovë. Më 12 prill 1999, në lagjen Bregaj të Prekazit, gjatë sulmeve dhe granatimeve të forcave serbe, Sinani u plagos rëndë. Pas largimit me forcë të familjes së tij nga fshati, ai u dërgua fillimisht në spitalin e Skenderajt e më pas edhe në spitalin e Mitrovicës, ku edhe ndërroi jetë. Sikur të mos mjaftonte vrasja e tij, edhe trupi i tij u zhduk. Për 27 vite me radhë, familja e tij jetoi mes dhimbjes duke pritur të dijë për trupin e tij. Tani me identifikimin e mbetjeve mortore në varrezat e Suodollit në Mitrovicë, kjo pritje e gjatë mori fund dhe Sinani është kthyer në tokën e tij të lindjes.”, tha Haxhiu.
Nënkryetar i Skenderajt, Fadil Nura foli në Prekaz duke theksuar dhimbjen për humbjen e Sinanit dhe rëndësinë e së vërtetës. Ai tha se rikthimi i tij pas 27 vitesh është dëshmi që krimet nuk mund të fshihen.
Nura: Ai duhej të jetonte, duhej të rritej, duhej të gëzonte të drejtën më themelore, të drejtën për jetë
“Sot jemi këtu në Prekaz për të përmbyllur një pritje 27-vjeçare, një pritje që nuk ishte vetëm kohë, por një plagë e hapur çdo ditë për familjen Dauti dhe për ndërgjegjen tonë kolektive. Sinani ishte vetëm nëntë vjeç, një fëmijë me ëndrra të pafajshme, një jetë që sapo kishte filluar. Ai duhej të jetonte, duhej të rritej, duhej të gëzonte të drejtën më themelore, të drejtën për jetë. Por kjo iu mohua. I plagosur, në vend që të shpëtohej e të trajtohej, ai u zhduk. Dhe bashkë me të u tentua të zhdukej edhe e vërteta. Për vite me radhë, u tentua të fshihej edhe krimi dhe të varrosej e vërteta bashkë me trupin e tij të njomë. Por e vërteta nuk varroset. Ajo pret dhe një ditë flet. Sot pas 27 vitesh, Sinani rikthehet, jo vetëm si kujtim, por edhe si dëshmi. Si dëshmi për krimin dhe të vërtetën, si dëshmi që një e drejtë që iu mohua, tërësisht padrejtësisht“, tha Nura.
Ministër për Punë, Familje dhe Vlera të Lufta e Kosovës, Andin Hoti , ka theksuar se rasti i Sinanit është dëshmi e një krimi të rëndë ndaj civilëve dhe një plagë e hapur për shoqërinë. Ai u shpreh se kjo ngjarje pasqyron dhimbjen e familjes dhe rëndësinë e kujtesës dhe drejtësisë.
Hoti: Duhet të mbante libra në duar, jo plumba në barkun e tij
“Sinan Dauti nuk ishte as ushtar, nuk ishte as pjesë e ndonjë beteje, ishte vetëm një fëmijë. Vetëm pak javë pa i mbushur nëntë vjet. Në atë moshë Sinani do të duhej të ishte në shkollë, jo në listat e të zhdukurve për 27 vite. Do të mbante libra në duar, jo plumba në barkun e tij. Dhe pikërisht kjo e bën historinë e tij edhe më të rëndë, edhe më të dhimbshme, edhe më të papranueshme për çdo shoqëri që pretendon të quhet njerëzore. Krimi ndaj Sinanit të vogël nuk është vetëm një akt barbar, është një tregues i qartë se deri ku mund të shkojë urrejtja kur humbet çdo kufi njerëzor dhe shndërrohet në një monstrum mizor.”, tha Hoti.
Për 27 vite me radhë, familja e Sinanit jetoi mes dhimbjes duke pritur të dijë për trupin e tij, por sot me identifikimin e mbetjeve mortore në varrezat e Suhodollit në Mitrovicë, kjo pritje e gjatë mori fund dhe Sinani është kthyer në tokën e tij të lindjes.
