Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pas vdekjes së punëtorit të KEK-ut, Arbenit Ahmeti, kërkoi hetimin e rastit dhe llogaridhënie të plotë në rast se konstatohet neglizhencë në punë apo shkelje e protokolleve të shëndetit dhe sigurisë.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për vdekjen tragjike të punëtorit të KEK-ut, Arbenit Ahmeti. Familjes Ahmeti, të afërmve dhe kolegëve të tij u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta”, ka shkruar Rizvanolli.
“Përderisa presim që organet kompetente të hetojnë këtë rast, nga Bordi dhe menaxhmenti i KEK-ut kam kërkuar që urgjentisht të sigurojnë hetim administrativ të rastit dhe llogaridhënie të plotë në rast se konstatohet neglizhencë në punë apo shkelje e protokolleve të shëndetit dhe sigurisë.
Nga KEK-u kam kërkuar veprime emergjente për të rivlerësuar masat e sigurisë së punëtorëve dhe për të garantuar zbatimin rigoroz të tyre”, thuhet në reagimin e Rizvanollit.
