Aktuale

Rrebeshe në të gjithë vendin dhe shtrëngata, meteorologia Lajda Porja zbulon si do të jetë moti në ditët në vijim

Java do të nisë me kushte atmosferike të qëndrueshme, ndërsa një përkeqësim i motit pritet të shfaqet nga e enjtja dhe do të kulmojë të premten me reshje më të dendura.

Sipas meteorologes Lajda Porja ditët e ardhshme do të jenë kryesisht të qeta.
Mëngjesi i sotëm është shoqëruar me temperatura të freskëta, ndërsa gjatë mesditës vlerat termike pritet të ngjiten deri në 28-29 gradë Celsius.

Porja bëri të ditur se deri të enjten do të mbizotërojë moti i qëndrueshëm, ndërkohë që në ditët në vijim temperaturat do të pësojnë një ulje të lehtë.

Gjatë së enjtes, vranësirat do të shtohen gradualisht. Në orët e vona të ditës priten reshje të pakta, kryesisht në zonat veriore të vendit.

Të premten reshjet do të përfshijnë të gjithë territorin. Në zona të caktuara ato mund të shoqërohen me rrebeshe dhe shtrëngata.

Reshjet do të jenë të pranishme edhe të shtunën, por me intensitet më të dobët. Përmirësimi i motit pritet të nisë gradualisht të dielën.

Të Ngjashme