Lajme

Rritja ekonomike 4.7 për qind, Kurti flet për potencialin e ekonomisë së Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur këtë pasdite takimin e rregullt të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, ku është diskutuar për mundësitë dhe sfidat e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe bizneseve për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Ai ka vlerësuar se institucionet duhet të sigurojnë sundimin e ligjit, një mjedis të sigurt dhe kushte të barabarta për zhvillim, ndërsa bizneset kanë rol në investime, prodhim, eksporte dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Bashkëpunimi ynë nuk është thjesht dëshirë, por domosdoshmëri ekonomike e shtetërore”, ka shkruar Kurti.

Duke folur për gjendjen ekonomike, ai ka deklaruar se ekonomia e Kosovës ka treguar stabilitet dhe potencial për rritje, pavarësisht sfidave të brendshme dhe pasigurive globale.

Sipas Kurtit, eksportet e mallrave dhe shërbimeve kanë kaluar shifrën prej pesë miliardë eurosh, ndërsa remitencat nga mërgata kanë arritur nivel rekord prej rreth 1.4 miliard eurosh.

Ai ka bërë të ditur gjithashtu se rritja ekonomike në gjysmën e parë të këtij viti ka qenë 4.7 për qind e Bruto Produktit Vendor.

Këta tregues, sipas tij, dëshmojnë vitalitetin e sektorit privat, besimin në investime dhe lidhjen e ekonomisë së Kosovës me mërgatën dhe tregjet ndërkombëtare.

Të Ngjashme