Rusia ka bërë të ditur se tensionet e ripërtërira në Lindjen e Mesme pas sulmeve të fundit mes SHBA-së dhe Iranit kërcënojnë ekonominë globale në tërësi, duke përsëritur thirrjen për rikthim në negociata.
“Raundi i fundit i përshkallëzimit të tensioneve është i mbushur me pasoja të reja dhe shtesë negative për situatën në rajon dhe për ekonominë ndërkombëtare në tërësi”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një konference për media, transmeton Anadolu.
Duke u bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, Peskov kërkoi rikthimin në bisedime.
Shkëmbimi i sulmeve mes SHBA-së dhe Iranit vazhdoi për të dytën ditë radhazi, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi se Washingtoni do të ndërmarrë sulme të tjera nëse Teherani nuk pranon menjëherë një marrëveshje paqeje.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se forcat amerikane goditën disa objektiva ushtarake në Iran nga mbrëmë deri në orët e para të ditës së sotme, duke i përshkruar sulmet si një akt “vetëmbrojtjeje” pas rrëzimit të një helikopteri amerikan në Ngushticën e Hormuzit.
Më herët, Trump ka deklaruar se Irani kishte marrë shumë kohë për të negociuar një marrëveshje dhe se do të duhej të paguante një çmim.
Bisedimet që nga armëpushimi i prillit, i ndërmjetësuar nga Pakistani, janë përqendruar në përfundimin e përhershëm të luftës që filloi më 28 shkurt, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, mbyllja e së cilës ka penguar eksportet e naftës dhe gazit, si dhe arritjen e një konsensusi mbi statusin e programit bërthamor të Iranit.
Dje, Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë tha se është “jashtëzakonisht e shqetësuar” për rritjen e tensioneve, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe të ndalin menjëherë sulmet.
