Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Aleanca është e gatshme të mbrohet edhe ndaj kërcënimeve në hapësirë.
Deklarata e tij vjen pas raportimeve të mediave gjermane se Rusia po përgatitet të lëshojë një satelit të pajisur me armë bërthamore.
Sipas këtyre raportimeve, vendet anëtare të NATO-s kanë shkëmbyer këtë muaj informacione të inteligjencës për një lëshim të mundshëm të satelitit brenda 60 ditëve të ardhshme. Megjithatë, nuk është bërë e ditur se cili shtet i ka hartuar raportet.
“Ne do të sigurohemi gjithmonë që të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s. Kjo përfshin edhe garantimin e sigurisë sonë në aspektin e hapësirës”, ka thënë Rutte.
Gjatë një konference për media në Berlin, kreu i NATO-s ka theksuar se Aleanca ka në dispozicion një sërë mundësish për t’iu përgjigjur kërcënimeve të tilla.
“Sa i përket fushës ushtarake, ne do të vazhdojmë të vlerësojmë masat tona të parandalimit dhe mbrojtjes, si dhe t’i përditësojmë ato kur të jetë e nevojshme”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, Moska ka kundërshtuar raportimet.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se nuk i kishte parë raportet e fundit, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e informacioneve të bazuara në burime anonime.
Edhe ambasada ruse në Berlin i ka cilësuar raportimet si “akuza të pabazuara” dhe pjesë të një “fushate propagandistike”.
Transmetuesit gjermanë NDR dhe ËDR, si dhe gazeta Süddeutsche Zeitung, duke iu referuar burimeve anonime ushtarake dhe të inteligjencës, kanë raportuar për ekzistencën e një sateliti rus që dyshohet se mund të kërcënojë infrastrukturën satelitore në hapësirë.
Sipas raportimeve, në rrezik mund të jenë edhe satelitët e rëndësishëm të komunikimit dhe vëzhgimit.
Pretendimet për satelitin rus mbeten të pakonfirmuara në mënyrë të pavarur./
