Mjeku infeksionist Arjan Harxhi ka komentuar shpërthimin e fundit të hantavirusit, duke theksuar se deri tani nuk ka gjasa që virusi të kthehet në pandemi globale, për shkak të transmetueshmërisë së ulët nga njeriu tek njeriu.
I ftuar në nje studio televizive, Harxhi u shpreh se situata e fundit është e veçantë, pasi është shfaqur në një mjedis të mbyllur dhe të izoluar si një anije turistike me pasagjerë nga shumë vende të botës.
“Nuk i ka gjasat deri tani që ky virus të kthehet në pandemi. Situata ku ka ndodhur është e veçantë, në një ambient të mbyllur në një anije me një kolektiv të izoluar”, tha ai.
Sipas tij, megjithëse virusi ka vdekshmëri të lartë, mënyra e përhapjes nuk favorizon një shpërthim masiv.
“Është një virus që ka një vdekshmëri të lartë, por transmetueshmëria nga njeriu tek njeriu është shumë e ulët dhe nuk përbën element që favorizon përhapje pandemike”, u shpreh Harxhi.
Ai shtoi se situata mbetet nën monitorim dhe vetëm koha do të japë një vlerësim më të saktë mbi rrezikun real.
“Koha do të jetë treguesi kryesor, pasi të përfundojë monitorimi i kontakteve dhe periudha e inkubacionit do kemi një përgjigje më të saktë”, theksoi mjeku.
Harxhi shpjegoi gjithashtu natyrën e virusit, duke thënë se ai transmetohet nga kafshët te njerëzit dhe në raste të caktuara mund të shkaktojë forma të rënda sëmundjeje.
“Janë viruse që japin ethe hemorragjike dhe prekje të veshkave. Në Amerikë format janë më agresive dhe mund të prekin mushkëritë me vdekshmëri deri në 30–40%”, shtoi ai.
