Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sali Berisha: Erion Veliaj meriton një gjyq publik në sheshin Skënderbej dhe të tregojë se ku janë paratë që ka vjedhur

Ish kryeministri, Sali Berisha nga dritarja e banesës ku vuan masën “arrest shtëpie”, ka lëshuar një lumë akuzash ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Berisha e quajti Veliajn një kriminel dhe hajdut të Tiranës, i cili sipas tij duhet të varet në shtyllën e turpin në mes të kryeqytetit. “Të ju pyes unë ju, të pyes çdo qytetar, a nuk meriton ky njeri të varet në shtyllën e turpit të kryeqytetit, në shtyllën e turpit të historisë. A nuk meriton ky njeri të përçmohet nga çdo qytetar i ndershëm i Tiranës.

A nuk meriton ky njeri të kapet për zverku, të nxirret nga zyra për të mos u futur më kurrë aty. A nuk meriton ky njeri të kapet me lecka, të çohet në 313 atje ku e ka vendin me verdiktin e popullit. A nuk meriton ky njeri një gjyq publik, në sheshin Skënderbej para qytetarëve të Tiranës, ku tu thotë qytetarëve se sa dhjetëra e dhjetëra milionë euro vodhi për 1 milionë fidanet që gjoja ka mbjellë, por që ka vjedhur së paku 990 mijë prej tyre.

A nuk meriton ky njeri një gjyq publik para jush në sheshin Skënderbej dhe para shqiptarëve të tregojë se ku janë paratë, ku janë 130 mln euro të djegësit të Tiranës që nuk ekziston. A nuk meriton ky njeri të varet në shtyllën e turpit të historisë dhe të tregojë, të tregojë se si ka mundësi të ndërtojë rrugë, shkolla me çmime 10-herë më të larta se në Europë. A nuk duhet të jemi ne qytetarë europianë, të kërkojmë standarde europiane në bashkinë tonë. Erion Veliaj është krimineli lakuriq që endet rrugëve të Tiranës, duhet ta ndaloni kudo që ta gjeni”, nënvizoi Berisha.