Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka dhënë një parashikim çfarë do të thotë nesër i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë takimeve që kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do ta kenë me pesëshen evropiane.
Schneeberger tha se Lajçak nesër do të thotë se Kosova duhet ta ndalë menjëherë përshkallëzimin.
“Lufta kundër krimit dhe për sundimin e ligjit e provokon Serbinë dhe Serbia duhet të mbrohet më pas me sulme terroriste. Nuk ka zgjidhje tjetër. Kosova duhet ta shtensionojë menjëherë [situatën], përndryshe do të ketë sanksione të radhës”, shkroi Schneeberger mbi atë se çfarë mund të thotë Lajçak nesër.
Ajo tha se ndoshta, Lajçak do ta thotë këtë me fjalë të tjera, por kuptimi do të jetë i njëjtë.
Kujtojmë, se kryeministri i vendit, Albin Kurti, nesër do takojë liderët e Gjermanisë, Olaf Scholz, Francës, Emmanuel Macron, e të Italisë Giorgia Meloni, si dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.