Lajme

SHBA miraton marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh për ushtrinë e Shqipërisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar zyrtarisht ratifikimin dhe nënshkrimin nga Shqipëria të një kredie të re prej 302 milionë dollarësh në kuadër të programit Financimi i Huaj Ushtarak (FMF).

Sipas njoftimit të palës amerikane, kjo marrëveshje do të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur Angazhimin e Mbrojtjes së Hagës, që parashikon rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.

Kredia FMF do të përdoret për modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, përmes blerjes së kapaciteteve kryesore me origjinë nga Shtetet e Bashkuara, si dhe për forcimin e aftësive mbrojtëse të Evropës.

Në njoftim theksohet se kjo marrëveshje është pjesë e partneritetit të ngushtë strategjik mes SHBA-së dhe Shqipërisë, e cila si anëtare e NATO-s ka bashkëpunuar me Uashingtonin në çështje të rëndësishme të sigurisë dhe politikës së jashtme.

SHBA vlerëson gjithashtu rolin e Shqipërisë në strukturat ndërkombëtare të sigurisë, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e saj si anëtare themeluese e Bordit të Paqes të Presidentit Trump.

Marrëveshja prej 302 milionë dollarësh konsiderohet një hap i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve ushtarake shqiptare dhe për thellimin e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve.

Të Ngjashme