Shpërthime u raportuan të hënën në mbrëmje në disa zona të Iranit, ndërsa ShBA-ja nisi një valë të re sulmesh kundër vendit, sipas mediave iraniane.
Transmetuesi shtetëror IRIB raportoi një shpërthim në Bandar Abbas, kryeqendrën e provincës jugore Hormozgan.
Agjencia gjysmëzyrtare Fars raportoi se shpërthime u dëgjuan mbi ishullin Qeshm dhe në ujërat përreth, ndërsa një tjetër shpërthim u raportua në Sirik, po në provincën Hormozgan.
Agjencia zyrtare iraniane e lajmeve IRNA raportoi një shpërthim në Shiraz, në provincën jugore Fars.
Sipas saj, gjatë orëve të mëparshme u dëgjuan 14 shpërthime mbi qytetet Chabahar dhe Konarak, në provincën juglindore Sistan dhe Baluchestan.
Agjencia gjysmëzyrtare Mehr raportoi se sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan pranë centralit bërthamor të Bushehrit, në jug të Iranit.
Mehr raportoi gjithashtu dy shpërthime në qytetin qendror të Isfahanit. Megjithatë, mediat iraniane cituan më vonë zëvendësguvernatorin e provincës së Isfahanit për çështjet e sigurisë dhe rendit, i cili mohoi se në provincë kishte ndodhur ndonjë sulm armiqësor apo shpërthim.
Nuk pati raportime të menjëhershme për viktima apo dëme.
Ndërkohë, Komanda Qendrore e ShBA-së, CENTCOM, njoftoi se kishte nisur një valë të re sulmesh kundër Iranit me urdhër të komandantit të përgjithshëm. Sipas saj, operacioni synonte të dobësonte më tej kapacitetet ushtarake iraniane të përdorura për sulmet ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit./TRT/
