Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm për rastin, përfshirë trajtimin e kërkesave të viktimës dhe veprimet e institucioneve që kishin për detyrë ta mbronin.
Përmes një reagimi publik, Shiroka Pula ka theksuar se organet kompetente duhet të shqyrtojnë jo vetëm rrethanat e vrasjes dhe përgjegjësinë penale të personave të dyshuar, por edhe nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e viktimës.
“Çdo sinjal për rrezik, çdo kërkesë për ndihmë dhe çdo ankesë ndaj mosveprimit institucional duhet të trajtohet me seriozitetin maksimal”, ka deklaruar presidentja, duke nënvizuar se mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve është detyrim i panegociueshëm i institucioneve.
Ajo u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojnë me urgjencë, profesionalizëm dhe paanshmëri, në mënyrë që të gjitha rrethanat e rastit të zbardhen dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Shiroka Pula ka vënë theksin edhe te përgjegjësia institucionale për mbrojtjen e grave, duke kërkuar që çdo dyshim për dështim në përmbushjen e detyrimeve ligjore të marrë përgjigje të qartë.
“Asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur pasi kërkon ndihmë nga institucionet e shtetit. Siguria dhe dinjiteti i çdo gruaje duhet të trajtohen si përgjegjësi themelore institucionale”, ka theksuar ajo.
Në fund të reagimit, presidentja u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës dhe të afërmve të saj, duke përsëritur se mbrojtja e jetës së grave është detyrim i panegociueshëm dhe se nuk mund të ketë kompromis kur jeta e tyre vihet në rrezik.
