Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Shmangëm një masakër dhe shpëtuam 15 policë”/ Pse KFOR-i nuk i dënoi mjaftueshëm veprimet e huliganëve serbë?

Ditë më parë, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia duke folur rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe zhvillimet në veri të vendit, ka thënë se më 29 maj KFOR-i ka shmangur një masakër ndaj policëve të Kosovës në protestën e dhunshme të serbëve në Zveqan.

“Falë profesionalizmit të njerëzve tanë, të cilët u përgatitën në mënyrën më të përshtatshme dhe që zbatuan rregullat e angazhimit në mënyrën më korrekte, u shmang një masakër. Ne arritëm t’i shpëtojmë 15 policë të bllokuar në turmë”, kështu është shprehur ai.

Ai më tej shtoi se arsyeja pse situata nuk u përshkallëzua më 29 maj ishte fakti që ishin të përgatitur shumë mirë.

“Ushtarët tanë vepruan shumë, shumë profesionalisht. Dhe dëshiroj të shpreh mbështetjen time të plotë për të plagosurit tanë dhe familjet e tyre. Ata vepruan aq profesionalisht, saqë arritën të menaxhonin që të mos përshkallëzohej situata, kështu shpëtuam 15 policë të Kosovës, penguam të dy palët të përplaseshin….”, theksoi ndër të tjera Ristuccia.

Gjersa gjeneralmajori Ristuccia thotë se KFOR-i është i përgatitur për të përballuar të gjitha sfidat, ekspert të sigurisë e analistë thonë se ata nuk kanë bërë aq sa është përgjegjësia e tyre për sigurinë e jetës dhe lëvizjes brenda territorit të Kosovës.

Sipas tyre, nëse KFOR ka shpëtuar 15 policët nga masakra, atëherë pse Vuçiqi dhe kriminelët e tij nuk dënohen nga ata.

Situata në veri të Kosovës tash e disa javë po vazhdon të jetë tensionuese dhe KFOR është duke mbikëqyrë atë pjesë të vendit me qëllim të mos eskalimit të situatës.

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, thotë se sado që KFOR në misionin e tij vazhdimisht thekson që është i paanshëm, këtë gjë nuk e ka dëshmuar në realitet.

Halimi: KFOR duhet të operojë vërtete sipas misionit që ka

 Image Armend Halimi 

Sipas tij, KFOR jetëson qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare, ku shihen qëndrime të anshme e diskriminuese.

“KFOR nuk ka bërë aq sa është përgjegjës për sigurinë e jetës dhe lëvizjes brenda gjithë territorit të Kosovës apo tërësisë territoriale. Kemi parë raste kur para syve të tyre grupet kriminale e terroriste serbe rrezikonin jetën e njerzëve; policë e gazetarë, dëmtonin pronat, deri tek sulmi ndaj vet KFOR-it. Andaj, sa do që KFOR në misionin e tij vazhdimisht thekson se është i pa anshëm, këtë nuk e ka dëshmuar në realitet. Sigurisht që KFOR jetëson qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare, ku edhe shihen qëndrime të anshme e diskriminuese. Pra, KFOR duhet të operojë vërtete sipas misionit që ka, ndryshe gjithë kjo do të ndikojë në motivimin e grupeve terroriste serbe, por edhe vetë shtetit serb për provokime të mëtejme agresive”, u shpreh Halimi.

Për situatën në veri, të enjten ka folur edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka thënë se situata aktuale në Kosovë është dëshmi se në këtë shtet është e rëndësishme prania e misionit paqeruajtës të aleancës, KFOR.

Këto deklarata ai i bëri gjatë një takimi në selinë e NATO-s me presidentin e ri të Malit të Zi, Jakov Millatoviq.

“Situata në Kosovë dëshmon se prania e NATO-s është e rëndësishme. Ne do të jemi besnikë ndaj mandatit që kemi sipas rezolutës së OKB-së dhe kemi rritur praninë tonë në Kosovë si përgjigje ndaj rritjes së sfidave të sigurisë. Prania jonë është për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe mjedisit të sigurt për të gjithë qytetarëve në Kosovë. Në këtë drejtim, ne mbështesim edhe dialogun [midis Kosovës dhe Serbisë] dhe ftojmë palët që të përmbahen nga veprimet e njëanshme të cilat mund të përshkallëzojnë situatën”, tha ai.

Mehazi: Pse hesht e nuk deklarohet KFOR-i?

 Image Sulejman Mehazi 

Kurse, analisti politik Sulejman Mehazi, deklaratën e komandantit të KFOR-it e quan turpëruese.

Sipas tij, ata në një anë thonë kanë shmangur masakër, ndërsa në anën tjetër janë kundër institucioneve të Kosovës.

“Turpi i trupave të KFOR-it në veri të Kosovës nuk ka të sosur, në njërën anë Komandanti i misionit të KFOR-it gjeneralmajori Angelo Michele Ristuccia, deklaron se kanë arritur të shmangin një masakër duke shpëtuar 15 policë të Kosovës gjatë situatës së fundit në veri nga egërsirat kriminale serbe, kurse në anën tjetër KFOR-I, SHBA-ja e BE-ja janë kundër institucioneve të Kosovës, jo të fajësojnë kriminelët e Vuçiqit që janë të dëshmuar me masakrat e tyre në Kosovë e Bosnjë-Hercegovinë, por pa të drejtë fajësojnë policinë e edukuar të Kurtit që ruajnë rendin e shtetit para qytetarëve”, pohon Mehazi.

Ai pyet pse nuk janë dënuar kriminelët që kanë dashur të masakrojnë policët e Kosovës nga vetë KFOR-i, gjersa pyetjen tjetër ia drejton komandantit Ristuccia, duke e pyetur pse nuk e përkrahin qeverinë e Kosovës.

“Nëse KFOR-i ka shpëtuar 15 policë të Kosovës nga masakrat gjakpirëse serbe pse atëherë Vuçiqi dhe kriminelët e tij që kanë dashur të masakrojnë policët e Kosovës nuk dënohen nga vetë KFOR-i, pse nuk i kap ata huliganë e kriminelë serbë që kanë dashur të masakrojnë?, është e pamundur që gjeneralmajori i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, të di se po të mos ishte KFOR-i do kishte masakër e në anën tjetër mos identifikohen kriminelët serbë që donin të bënin masakra. Pyesim sinqerisht komandantin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, se pse nuk përkrahin qeverinë e Kosovës me rastin e arrestimeve të disa protestuesve të dhunshëm e kriminelë serbë që donin të masakronin policët e Kosovës, pse hesht e nuk deklarohet KFOR-i se pikërisht huliganët e arrestuar serbë nga Kurti janë ata që donin të masakronin 15 policët e Kosovës?”, përfundon Mehazi.