Aktuale

Shoqata e Prokurorëve i jep përgjigjen e fortë Taulant Ballës për arrestimet gjatë protestave

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar ndaj deklaratave publike të Taulant Ballës për vendimmarrjen e një prokurori të Tiranës lidhur me arrestimet gjatë protestave, duke paralajmëruar se aludimet për lidhje politike mund të cenojnë pavarësinë e magjistratit.

Në reagimin e saj, Shoqata thekson se prokurorët janë magjistratë të pavarur, të cilët në ushtrimin e funksionit të tyre u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Sipas saj, vendimmarrja duhet të bazohet te faktet dhe provat e administruara, pa presione apo ndikime politike.

Shoqata pranon se vendimet e prokurorisë mund të jenë objekt kritike, përfshirë edhe kritikën publike, por nënvizon se pretendimet për lidhje politike, pa fakte konkrete, e zhvendosin debatin nga arsyetimi juridik drejt diskreditimit personal dhe profesional të prokurorit.

“Krijohet rreziku i ushtrimit të presionit mbi prokurorin dhe mbi vendimmarrjen e tij të mëtejshme”, thekson Shoqata, duke iu referuar edhe thirrjeve publike për ndërhyrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkak të vendimit të marrë.

Në reagim, Shoqata sqaron gjithashtu se urdhrat e prokurorit për lirimin e menjëhershëm të personave të arrestuar në kundërshtim me ligjin nuk përbëjnë vendime për pushimin e çështjes. Sipas saj, këto urdhra lidhen me ligjshmërinë e heqjes së lirisë dhe nuk përcaktojnë përfundimisht përgjegjësinë penale të personave të arrestuar.

Duke iu referuar nenit 257 të Kodit të Procedurës Penale, Shoqata nënvizon se, në rastet e parashikuara nga kjo dispozitë, lirimi i menjëhershëm i të arrestuarit është detyrim ligjor i prokurorit.

Sa u përket pretendimeve për shkelje profesionale apo etike, Shoqata thekson se ato mund t’u paraqiten organeve kompetente, përfshirë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, dhe duhet të shqyrtohen mbi bazën e fakteve dhe procedurave ligjore. Ajo kërkon që edhe organet përgjegjëse për verifikimin e këtyre pretendimeve të veprojnë në mënyrë të pavarur, pa presione politike.

Në përfundim, Shoqata e Prokurorëve u bën thirrje përfaqësuesve politikë që ta ushtrojnë me përgjegjësi të drejtën e kritikës dhe të shmangin deklaratat që, sipas saj, shënjestrojnë prokurorët.

“Mbrojtja e pavarësisë së magjistratëve i shërben një procesi të paanshëm dhe zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë për këdo”, përfundon reagimi.

Top Channel

Të Ngjashme