Aktuale

Shqipëria nis hapat ligjorë për adoptimin e euros si monedhë zyrtare

Shqipëria ka nisur zyrtarisht përgatitjet ligjore për adoptimin e euros si monedhë zyrtare. Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i publikuar për konsultim publik, përfshin për herë të parë një kapitull të posaçëm që përcakton mënyrën se si do të funksionojë banka qendrore shqiptare pas anëtarësimit të vendit në Eurozonë.

Nisma është pjesë e reformës për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian dhe synon të krijojë bazën institucionale për integrimin e Bankës së Shqipërisë në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore.

“Një objektiv i rëndësishëm është krijimi i bazës ligjore të nevojshme për integrimin gradual të Bankës së Shqipërisë në arkitekturën monetare dhe institucionale të Bashkimit Evropian, përfshirë pjesëmarrjen e saj të ardhshme në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore dhe, në një fazë të mëvonshme, në Eurosistem. Për këtë arsye, projektligji parashikon dispozita të posaçme që do të zbatohen nga data e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe nga data e adoptimit të euros si monedhë e Republikës së Shqipërisë. Nëpërmjet këtyre rregullimeve, projektligji synon të garantojë një kuadër ligjor të qartë, të qëndrueshëm dhe të harmonizuar me standardet evropiane, i cili mundëson ushtrimin efektiv të funksioneve të Bankës së Shqipërisë, forcimin e besueshmërisë së saj institucionale dhe përgatitjen e saj për detyrimet që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në relacion.

Si do të funksionojë Banka e Shqipërisë pas kalimit në euro

Sipas projektligjit dhe relacionit nga dita kur euro të bëhet zyrtarisht monedha e Republikës së Shqipërisë, Banka e Shqipërisë do të marrë përgjegjësinë për hedhjen në qarkullim dhe tërheqjen e kartëmonedhave dhe monedhave euro, në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian dhe të Bankës Qendrore Evropiane.

Institucioni do të ketë gjithashtu kompetencë për të përcaktuar dizajnin e monedhave metalike euro që do të emetohen nga Shqipëria, gjithmonë sipas standardeve evropiane.

Megjithatë, projektligji thekson se këto dispozita nuk nënkuptojnë se adoptimi i euros është i afërt. Ato do të hyjnë në fuqi vetëm pasi Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe të përmbushë kriteret e konvergjencës ekonomike të nevojshme për anëtarësimin në Eurozonë.

Forcohet pavarësia e Bankës së Shqipërisë

Përveç rregullimeve që lidhen me euron, projektligji parashikon një reformim të gjerë të kuadrit ligjor të Bankës së Shqipërisë.

Një nga ndryshimet kryesore është forcimi i pavarësisë institucionale, funksionale, financiare dhe personale të bankës qendrore. Në projektligj ndalohet shprehimisht që Banka e Shqipërisë të kërkojë ose të marrë udhëzime nga qeveria apo nga institucione të tjera shtetërore.

Projektligji përcakton ruajtjen e stabilitetit të çmimeve si objektivin kryesor të Bankës së Shqipërisë, ndërsa i jep institucionit një mandat më të qartë edhe për garantimin e stabilitetit financiar.

Për herë të parë, në ligj përfshihet një kapitull i posaçëm për politikën makroprudenciale, duke zgjeruar kompetencat e bankës në identifikimin dhe kufizimin e rrezikut sistemik në sektorin financiar.

Kompetenca më të gjera dhe ndryshime në drejtim

Reforma zgjeron kompetencat e Bankës së Shqipërisë në mbikëqyrjen e institucioneve financiare. Institucioni do të ketë të drejtë të kryejë inspektime më të plota, të kërkojë informacion shtesë dhe të vendosë masa administrative ndaj subjekteve që mbikëqyr.

Po ashtu, forcohet kuadri ligjor për sistemet e pagesave, administrimin e rezervave valutore dhe mbledhjen e statistikave monetare e financiare, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Projektligji sjell edhe ndryshime në qeverisjen e Bankës së Shqipërisë, duke forcuar kriteret profesionale dhe të integritetit për drejtuesit e institucionit.

Gjithashtu, parashikohet krijimi i Komitetit të Politikës Monetare dhe Komitetit të Stabilitetit Financiar, të cilët do të funksionojnë si organe këshillimore pranë Këshillit Mbikëqyrës.

Rritet kapitali i Bankës së Shqipërisë

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me forcimin e pavarësisë financiare të Bankës së Shqipërisë.

Projektligji parashikon rritjen e kapitalit të nënshkruar nga 2.5 miliardë lekë në 6 miliardë lekë. Po ashtu, krijohet një mekanizëm i ri rikapitalizimi në rast se kapitali bie nën nivelin minimal të kërkuar.

Në dokument ruhet edhe kërkesa që rezerva e përgjithshme të jetë të paktën pesë herë më e madhe se kapitali i nënshkruar.

Gjithashtu, parashikohet krijimi i rezervave të posaçme për mbulimin e rreziqeve financiare, me synimin për të forcuar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e bankës qendrore.

Të Ngjashme