Lajme

​Shtyrja e afatit për shpallje të vendimit për krerët e UÇK-së, Kurti: E morëm vesh sikurse të gjithë ju

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se beson në drejtësinë e UÇK-së dhe ish-krerëve të saj që po mbahen në Hagë.

Kështu u shpreh ai, teksa komentoi vendimin e fundit të Gjykatës Speciale për shtyrjen e afatit për shpalljen e vendimit për katërshen e UÇK-së.

Ai tha para mediave se Qeveria nuk ka qasje në “dinamikat dhe zhvillimet që bëhen në Gjykatë Speciale”, meqë siç shtoi nuk karakterizohet nga transparenca.

Kurti flet për vendimin e Speciales për shtyrjen e afatit për shpallje të vendimit për katërshen e UÇK-së

Sa i përket vendimit të Gjykatës Speciale që të shtyhet për dy muaj nëse s’gaboj vendimi i tyre, ne e morëm vesh sikurse të gjithë ju. Për shkak se Qeveria e Kosovës nuk ka qasje në dinamikat dhe zhvillimet që bëhen në Gjykatën Speciale, e cila nuk karakterizohet nga transparenca për vendit tonë në shërbim të së cilit thuhet se është. Edhe një herë theksoj se Kosova ka nevojë për gjykatë normale, jo për gjykata speciale. Amendamentimi numër 24 i Kushtetutës më 3 gusht 2015 është një ndër ditët më të rënda të Kosovës të pavarur e të Republikës tonë demokratike dhe që të gjitha këto tash janë pasoja”, deklaroi ai.

Ai tha se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe se beson në pafajësinë e krerëve të saj që po gjykohen në Hagë.

Kurti: Ne besojmë në drejtësinë e UÇK-së dhe në pafajësinë e krerëve të UÇK-së

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe gjithmonë do të kujtohet e mësohet në histori nga panumër breza si luftë e drejtë e cila ishte kundër një okupatori, armiku që kishte projekt gjenocidal kundër popullit tonë. Dhe njëkohësisht ishte luftë antikolonialiste, sepse ne nuk e kishim vetëm këtë gjenocidin e fundit nga Serbia, ky ishte gjenocidi i katërt që e ka bërë Serbia për më pak se një shekull e gjysmë ndaj popullit tonë, andaj edhe UÇK si bartëse e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, të ndihmuar nga mbarë kombi shqiptar jo vetëm në Ballkan por edhe në mërgatë është një luftë e cila gjithmonë duhet të kujtohet, të mbrohet, mësohet por në të njëjtën kohë edhe është e domosdoshme që të nxirren mësimet nga gabimet politike të cilat janë bërë e të cilat na kanë sjell në këtë situatë që në vend se të kemi gjykata normale, kemi një Gjykatë Speciale e cila tash edhe i vonon vendimet e saj. Ne besojmë në drejtësinë e UÇK-së dhe në pafajësinë e krerëve të UÇK-së, të krerëve të saj të cilët vazhdojnë që të mbahen në burg padrejtësisht në Hagë”, shtoi ai.

Këto deklarime ai i bëri gjatë nisjes së punimeve për rikonstruktimin e rrugës Kijevë-Malishevë.

Më 5 maj, trupi gjykues në çështjen gjyqësore kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit lëshoi një urdhër me të cilin shtyu afatin për shqiptimin e aktgjykimit për 60 ditë deri më 20 korrik 2026.

Të Ngjashme