Aktuale

Si po pastrohen paratë e call-centerave mashtrues me bankën izraelite dixhitale Jet Bank në Shqipëri, publikohen

Si po pastrohen paratë e call-centerave mashtrues me bankën izraelite dixhitale Jet Bank në Shqipëri, publikohen dokumentet gjermane, të implikuar persona të dënuar për mashtrim ndërkombëtar, ja denoncimet
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka denoncuar një skandal të rëndë, duke akuzuar Bankën e Shqipërisë për licencimin e dyshimtë të Jet Bank. Sipas Këlliçit, dokumente të Ministria e Brendshme Gjermane lidhin aksionerët e bankës me rrjete mashtrimi ndërkombëtar dhe me Gal Barak, i dënuar për mashtrim në BE. Ai paralajmëron rrezik për pastrim parash dhe kërkon reagim urgjent. “Skandali i radhës me Jet Bank dhe Bankën e Shqipërisë! Sot po publikoj dokumente zyrtare të Ministrisë së Brendshme Gjermane, që hedhin dritë mbi kërcënimin serioz të sistemit tonë bankar nga licensimi i JET BANK, ku një zinxhir marrëdhëniesh mes disa individësh nuk mund të trajtohen më si rastësi administrative.

Sipas tyre, shtetasi Oliver Hemmer është Drejtori Menaxhues i kompanisë GRF Europe OU, e cila operonte për llogari të kompanisë 4XFX, në pronësi të shtetasit Izraelit, Gal Barak. Ky i fundit i dënuar me 4 vite burgim në Austri, pasi ka ngritur një skemë mashtrimi me Call Centera me një dëm të vlerësuar rreth 200 milionë euro në disa shtete europiane si Angli, Austri, Gjermani, Spanjë, etj.

Në një tjetër dokument shihet qartë se Oliver Hemmer është edhe drejtori i kompanisë së regjistruar në Qipro, Constador LTD. Pikërisht kjo kompani është pronare me 71% e JET BANK, të parës bankë online në Shqipëri. Në këtë pikë, çështja nuk është më thjeshtë ligjore, por sistemike. Banka e Shqipërisë ka licensuar këta individë për të hapur bankën e parë online në vend, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi standardet e verifikimit dhe integritetin e procesit.

Por, më shumë se kaq, pyetja që shtrohet sot nuk është nëse ka pasur shkelje ligjore, por përtej kësaj, a po lejojmë që Shqipëria të evoluojë nga një bazë operative e call center-ave që zhvasin qytetarët evropianë, në një nyje të pastrimit të këtyre parave?! Nëse kjo vijë alarmi kalon pa reagim, ky skandal do të përbënte një rrezik të drejtpërdrejtë për besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e vetë sistemit bankar shqiptar”, denoncoi Këlliçi.

Transaksione të dyshimta

Nga ana tjetër gazetari Juljan Hoxhaj deklaroi dje gjatë një interviste televizive se nga banka e re online “Jet Bank”, gjatë tre muajve të fundit janë konstatuar lëvizje të pazakonta financiare. Sipas tij, themeluesi Idan Avishai është tërhequr nga kompania më 26 janar, duke shitur aksionet për vetëm 927 mijë lekë te “Jet Holding”, një kompani e krijuar vetëm 6 ditë para transaksionit dhe e regjistruar në Holandë. Pas kësaj, kapitali i bankës rezulton të jetë rritur në 10 milionë euro, ndërsa mbetet e paqartë nëse kjo shumë është depozituar realisht. Hoxhaj ngriti shqetësime edhe për fushatën e fuqishme promocionale dhe numrin e lartë të aplikimeve, duke kërkuar hetim nga institucionet përkatëse.

Dyshimet lidhen me pastrim parash, përfshirë edhe aktivitetet e “call center”-ave dhe transaksione me kriptovaluta. “Ajo çka ka ndodhur është që gjatë tre muajve të fundit ka një histori të dyshimtë transaksionesh. Belindi ka denoncuar në kuvend një prej aksionerëve, ose më saktë themeluesin e Jet Bank në Shqipëri, Idan Avishai, i cili çuditërisht në datën 26 janar të këtij viti është tërhequr nga kompania. Pra ka shitur aksionet dhe ja ka shitur kompanisë Jet Holding. Kjo kompani është krijuar çuditërisht vetëm gjashtë ditë përpara se të ndodhte shitja e transaksioneve.


Dhe është regjistruar në Hollandë. Me disa kompani të tjera aksionere që meritojnë të studiohen në fakt dhe ndoshta do të jenë objekt i punës tonë. Dhe pagesa që ka bërë Jet Holding ndaj Idan Avishai, i denoncuar nga Belindi, por i denoncuar edhe në media gjerësisht për pikërisht për lidhje me këto skema mashtrimi, ka qenë vetëm 927,000 lekë të reja, pra për aq sa ai kishte paguar, pra në vlerën e kapitalit të kompanisë, që kujtojmë që kostot kanë qenë edhe më të mëdha sesa kapitali që ai ka paguar, ka depozituar në bankë, sepse ka bërë veprime e të tjera e të tjera, gjatë gjithë këtyre kohëve, ka paguar qera e të tjera e të tjera. Pra ai ka marrë vetëm vlerën e ë kapitalit dhe asnjë lekë më shumë, pra për 927,000 lekë.

Tani çfarë ka ndodhur? Pasi bankën online Jet Bank, e ka blerë shoqëria Jet Holding, është shtuar dhe vlera e kapitalit, 10 milionë euro është regjistruar pra në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Nuk e dimë ende nëse është paguar, pra është bërë pagesa e kapitalit apo jo për të marrë liçencën, por ajo që, siç e përmende dhe ti që mua më ka bërë përshtypje është fakti që kjo bankë ë që mbiu, po them, si ato kërpudhat pas shiut, ka një prezencë të jashtëzakonshme në mediat shqiptare.

Që nga programet më të rëndësishme të prime time-it, showbiz-it apo çfarëdoqofshin ato deri tek portali më anonim në Shqipëri e ke të pranishme, e ke me një sponsorizim të jashtëzakonshëm, ke personazhe VIP që e promovojnë, që sigurisht janë pagesa shumë të mëdha dhe sigurisht që… Edhe për të zënë radhën, është deklaruar që ka pasur mbi 50,000, mos gaboj, 50,000 persona të interesuar për t’u regjistruar dhe për të marrë shërbime online në këtë, në këtë bankë. Dhe sigurisht që mua kjo më krijon shumë shqetësim, sepse sot ne e dimë që tregu bankar në Shqipëri, edhe ky ekzistuesi, i bankave të nivelit të dytë, është në qendër të vëmendjeve, të vëmendjes për shkak të asaj që njihet pra si pastrimi i parave.

Që bankat janë kthyer sot në një mekanizëm të pastrimit të parave. Dhe në këtë moment është e domosdoshme që nga Banka e Shqipërisë, por minimalisht ë institucionet hetuese, Prokuroria e Posaçme ndoshta ta shohë edhe këtë dimension, sepse nuk mundet të ndodhë që nga hiçi dhe po them ndoshta nga rastet unike në Europë, të paktën në dijeninë time, që të krijohet një bankë online, kur është përfolur shumë që kjo bankë përveçse po themi pastrimit të parave të skemave të mashtrimit të call center, ka dyshime që lidhet edhe pikërisht me pastrimin e parave të kriptovalutave”, tha ai.

Të Ngjashme