Lajme

“S’po i peshojnë mendimet e s’po i matin fjalët” Çun Lajçi thotë se duan të kthejnë shtetin ata që ia kanë nxjerrë kimeti

Artisti Çun Lajçi në një postim të tij në facebook është treguar i ashpër me deklarimet e fundit të liderëve politikë.

Ai shkruan se ‘po duan të kthejnë shtetin, ata që ia kanë nxjerrë kimeti’.

“Duen me “kthye shtetin”, se shteti paska pasë ikë!

Paska pasë shkelë n’gërritha qeni ky shteti ynë.

Paska pasë qëllue grue e lëshueme,

e tash u dashka me çdo kusht me e “kthye” n’gjini”, shkruan ai.

Postimi i plotë:

Na duhet me kthye Shtetin

Po m’i gërzhasin grejzat që i mbaj n’gji për netët kur s’do t’me merr gjumi ma.

Janë shpërfushë syverdhit! Trushpërlamët janë çue peshë!

U ka plasë delli i marrës.

Edhe perdja e synit u asht shkye.

S’po i peshojnë mendimet e s’po i matin fjalët.

Po duen me na “përvjelë” kofshët, barkun e bishtin,

si delet kur marrin rrugë për bjeshkët e nalta.

Duen me fitue vetveten – humbjen.

Duen me “kthye shtetin”, se shteti paska pasë ikë!

Paska pasë shkelë n’gërritha qeni ky shteti ynë.

Paska pasë qëllue grue e lëshueme,

e tash u dashka me çdo kusht me e “kthye” n’gjini!

A keni ndëgjue ndonjiherë marrëzi të tillë:

– na duhet me kthye shtetin?!

Me kthye shtetin,

të cilit ia kanë nxjerrë kimetin për pesë vjet,

pa e hetue “gardianja” se ai shtet paska pasë ikë!

E ku ka shkue e shkreta Kosovë,

që tash u dashka me u kthye?

Mos ka shkue n’Marigona Hill?

Apo te Pallatet e Liqenit?

Apo n’Australinë e largët,

e tash po ia presin biletën me u kthye n’Fushë Kosovë?

Jo…

S’po muj me shkrue.

Po du me kajt.

Po du me lujtë mendsh prej derexheve ku kanë ra do zotni e do gra që janë çue peshë,

që u ka plasë delli i marrës

e s’po dinë ma çka me na thanë

e me çka me na mashtrue.

Po frigohem mos po na thonë nesër:

– Hajt, ikni edhe ju!

Shkoni te fëmijët tuej n’Evropë!

Se Kosovën kemi me e shkundullue na,

tue sundue qysh të na teket neve!

Jo…

S’po due as me shkrue, as me kajt.

Due me knue:

– Na ka çu Dudia letër,

hajde n’Marigonë!

Hahaha…

Këto janë zgjedhjet.

E këta janë ata që i njohim si “parja e kuqe”;

ata që po duen me “kthye shtetin”

si tregtarë që kanë humbë peshoren e turpit.

Tash ikni!

Po du me fjetë,

e s’di kur ka me m’dalë gjumi

për me ju kallxue

sa pushtetarë t’mjerë keni qenë!

Të Ngjashme