Reperi i njohur shqiptar Stresi ka njoftuar kandidimin e tij për Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, duke e cilësuar këtë vendim si një hap të rëndësishëm për përfaqësimin e të rinjve në politikë.
Përmes një mesazhi publik, ai theksoi se kandidimi i tij nuk lidhet vetëm me politikën, por edhe me përgjegjësinë për të përfaqësuar një brez që, sipas tij, shpesh është ndjerë i lënë jashtë proceseve vendimmarrëse.
Stresi u bëri thirrje të rinjve të angazhohen më shumë në jetën publike dhe politike të vendit, duke theksuar se është koha që brezi i ri të ketë një rol më aktiv në ndërtimin e së ardhmes së Shqipërisë.
“Sot kam vendosur të hedh një hap më shumë për vendin tim, për të rinjtë dhe për zërin e një brezi që shpesh është ndjerë i papërfaqësuar.
Kandidimi im për Këshillin Kombëtar të PD-së nuk është thjesht politikë është përgjegjësi, përfaqësim dhe besim tek rinia shqiptare.
Kam ardhur nga rruga, nga jeta reale, nga sfidat që çdo i ri i njeh mirë. Prandaj dua që zëri ynë të dëgjohet aty ku merren vendimet.
Nuk ka më kohë për heshtje, për largime apo për dorëzim. Ka ardhur koha që rinia të ngrihet, të flasë dhe të marrë vendin që meriton.
Ftoj çdo të ri që beson te ndryshimi, te energjia e re dhe te Shqipëria që mund të bëhet më mirë, të bashkohet me mua në këtë rrugëtim.
Sepse e ardhmja nuk pret. Dhe ajo ndërtohet nga ne”, tha Stresi.
