Universitetet kanë akumuluar për dekada dobësi të theksuara në logjistike, laboratorë dhe kërkim shkencor, por sakaq korrupsioni është bërë endemik edhe në vatrat arsimore.
Protesta studentore ka rikthyer në vëmendje kostot e larta me të cilat përballen studentët në Shqipëri, veçanërisht ata që ndjekin studimet në Tiranë.
Përveç tarifave universitare, qirasë dhe shpenzimeve të përditshme, një tjetër barrë financiare mbetet blerja e librave akademikë, çmimet e të cilëve në disa degë arrijnë në disa mijëra lekë për titull.
Botimi i literaturës akademike nga pedagogët është pjesë e veprimtarisë universitare, por shqetësimi qëndron te rastet kur librat shiten me çmime të larta, duke krijuar kosto shtesë për studentët.
Studentë në protestë bëjnë me dije se në degë si Ekonomiku, Juridiku apo Mjekësia, çmimet e librave mund të arrijnë nga 5 mijë deri në 8 mijë lekë për një titull, sipas shqetësimeve të ngritura për kostot e studimit.
Një student që gjatë vitit akademik duhet të sigurojë 10-12 libra bazë mund të shpenzojë rreth 30 mijë lekë, nëse çmimi mesatar i një libri është 2,500 lekë. Në rastet kur çmimi arrin në 5 mijë lekë, shpenzimi vjetor mund të shkojë deri në 60 mijë lekë, pa përfshirë literaturën shtesë, materialet e tjera mësimore apo shpenzimet për fotokopje.
Këto përllogaritje tregojnë se vetëm sigurimi i literaturës së detyrueshme mund të kthehet në një barrë të konsiderueshme për familjet, sidomos për studentët që vijnë nga rrethet dhe duhet të përballojnë njëkohësisht shpenzimet e jetesës në kryeqytet.
Studentët pohojnë se disa pedagogë e shohin botimin e librave edhe si burim të ardhurash, ndërsa ata mund të ndihen të detyruar t’i blejnë ato për të ndjekur lëndët përkatëse
Në këtë kuadër është ngritur nevoja për një zgjidhje që do të lehtësonte aksesin në literaturën universitare, përmes çmimeve më të përballueshme, bibliotekave akademike dhe mundësisë së përdorimit të materialeve në format elektronik, duke respektuar të drejtat e autorit.
Përveç kostove financiare, studentët përballen edhe me problematika që lidhen me cilësinë e infrastrukturës universitare dhe kushtet e akomodimit. Mungesa e laboratorëve të pajisur, e bazës së nevojshme teknike dhe e mjeteve bashkëkohore të mësimdhënies mbetet shqetësim në një pjesë të institucioneve të arsimit të lartë.
Këto mangësi janë veçanërisht të ndjeshme në degët ku formimi praktik është i domosdoshëm, si Mjekësia, Inxhinieria, Teknologjia e Informacionit dhe shkencat e natyrës. Pajisjet e pamjaftueshme apo të vjetruara laboratorike mund të kufizojnë mundësitë e studentëve për të zhvilluar aftësi praktike, duke krijuar një hendek mes njohurive teorike dhe kërkesave të tregut të punës./Monitor
