Lajme

Sulm me mjet të mprehtë në Pejë, plagoset një i mitur – arrestohet i dyshuari

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:50 në rrugën “Onufri”, ndërsa i dyshuari për sulmin është gjithashtu i mitur. Policia po heton rastin në koordinim me institucionet përkatëse.

Një i mitur ka pësuar lëndime trupore si pasojë e një sulmi me mjet të mprehtë që ka ndodhur sot në Pejë. Lidhur me rastin, policia ka arrestuar një të dyshuar, i cili po ashtu është i mitur.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Sheremet Elezaj, ka bërë të ditur se rasti është raportuar rreth orës 15:50, pasi viktima ishte dërguar në emergjencën e spitalit për trajtim mjekësor për shkak të një plage që dyshohet se është shkaktuar nga një mjet i mprehtë.

“Jemi njoftuar nga emergjenca e spitalit se një person ishte dërguar për trajtim mjekësor për shkak të plagës që dyshohet se ishte shkaktuar nga një mjet i mprehtë. Njësitet e nevojshme policore menjëherë i janë përgjigjur rastit dhe, sipas hetimeve fillestare, dyshohet se viktima, mashkull i mitur, është sulmuar me mjet të mprehtë nga një person tjetër, po ashtu mashkull i mitur, në rrugën ‘Onufri’ në Pejë. I dyshuari është arrestuar”, ka deklaruar Elezaj.

Policia është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me institucionet përkatëse për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.

Të Ngjashme