Sulmet ruse në disa rajone të Ukrainës kanë shkaktuar të paktën pesë viktima, dhjetëra të plagosur dhe ndërprerje të energjisë elektrike në pesë rajone.
Zëvendësministri i Energjisë, Artem Nekrasov, tha të mërkurën se rajonet e Dnipropetrovskit, Donetskut, Zaporizhias, Odesës dhe Kharkivit u prekën.
Nekrasov, deklaroi se situata është veçanërisht e vështirë në Zaporizhia dhe Dnipropetrovsk, ku janë dëmtuar disa objekte të rëndësishme energjetike.
Ndërkohë, centrali bërthamor i Zaporizhias, i pushtuar nga Rusia, ka humbur furnizimin e jashtëm me energji elektrike dhe ka kaluar në gjeneratorë rezervë me naftë. Kjo është hera e 17-të këtë vit që centrali përballet me humbjen e furnizimit të jashtëm.
Ministria e Energjisë njoftoi se ekipet po punojnë për riparimin e dëmeve, por sulmet e përsëritura dhe alarmet e vazhdueshme ajrore po pengojnë procesin e rikthimit të energjisë.
Në Odesa, sulmet ruse të martën vranë dy persona dhe plagosën tre të tjerë, përfshirë një fëmijë. Në rajonin e Chernihivit u raportua një viktimë, ndërsa në Donetsk një person u vra në Kramatorsk. Në rajonin e Kharkivit, sulmet shkaktuan një viktimë dhe 14 të plagosur.
Edhe kryeqyteti ukrainas Kyiv u sulmua me dronë gjatë natës, duke shkaktuar zjarr në një ndërtesë shumëkatëshe dhe duke plagosur dy persona.
Ndërkohë, në Rusi, një sulm me dronë ukrainas në rajonin e Samaras vrau një person dhe shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike.
Rajoni është një qendër e rëndësishme e përpunimit të naftës për kompaninë shtetërore Rosneft.
