Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, lidhur me raportimin periodik për zhvillimet në Kosovë.
Në këtë takim të Këshillit të Sigurimit, Osmani do të flasë për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator.
Ndër të tjera, Osmani thuhet se do të flasë edhe për përkushtimin e institucioneve të Republikës për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë në rajon, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me aleatë e partnerë të Kosovës.
Para takimit të Këshillit të Sigurimit, presidentja pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e shteteve aleate.
Ndryshe, të hënën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë raportin e ri gjashtëmujor për situatën në Kosovë. Raporti përfshinë periudhën nga 19 marsi deri më 18 shtator 2023.
Serbia në seancë do të përfaqësohet nga kryeministrja Ana Bërnabiq.
Takimi do të mbahet më 23 tetor në ora 21:00 me kohë të Kosovës, ndërkaq në orën 15:00 me kohë të Nju Jorku-ut.
E për situatën mes Kosovës dhe Serbisë pas 24 shtatorit, do të diskutoj sot edhe Këshilli i Jashtëm i BE-së, në takimin që do të zhvillojnë në Luksemburg.
Në takimin që do të nis në orën 08:30, do të diskutohet për situatën mes Kosovës dhe Serbisë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit që ndodhi në Banjskë të Zveçanit.
“Sipas çështjeve aktuale, Këshilli do të prekë, ndër të tjera, situatën mes Serbisë dhe Kosovës, Kinën dhe Sahelin”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se pas incidenteve të dhunshme që u zhvillua më 24 shtator në veri të Kosovës, BE-ja u ka kërkuar të dyja palëve të kontribuojnë urgjentisht në de-përshkallëzimin dhe kthimin në zbatimin e detyrimeve të tyre të pazgjidhura që dalin në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.