Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lexuar gjatë deklaratës së tij para SPAK-ut një seri përgjimesh që, sipas tij, zbulojnë komunikimet mes personave të lidhur me bandën Çela, Taulant Ballës dhe ish-punonjëses së BKH-së, Eriona Daupaj. Në qendër të bisedave janë automjetet Toyota Yaris, të sekuestruara pas zbulimit të 5 milionë eurove në Portin e Durrësit, si dhe komunikimet për kthimin e tyre. “Eriona Daupaj është ish-BKH që u mor me ndërmjetësimin midis bandës Çelaj, Taulant Ballës dhe bandës së Skapit”, tha Berisha, përpara se të lexonte pjesët e përgjimeve.
“Daupaj: Filanin do ta çoj në sekuestro se do t’i bëj nder Ballës”. Berisha shpjegoi më pas rrethanat e kapjes së parave në Durrës, duke pretenduar se 5 milionë euro ishin nisur nga një vend perëndimor dhe autoritetet ishin njoftuar për mbërritjen e tyre në port. Paratë u zbuluan në automjetet Toyota Yaris, ndërsa, sipas tij, nga shuma e gjetur rreth 2 milionë euro u përvetësuan nga personat që i numëruan dhe u raportuan 3.2 milionë euro. Ai përmendi edhe një shtetas gjerman, i cili, sipas deklaratës së tij, kishte pretenduar se paratë i përkisnin atij dhe i transportonte me mikrobus.
Pas zbulimit të parave, policia sekuestroi automjetet. Berisha pretendoi se më pas Taulant Balla kishte ndërhyrë për kthimin e tyre te personat e lidhur me bandën Çela. Për këtë pjesë të çështjes, kreu demokrat lexoi komunikimin e mëposhtëm: “Ritvan Çela: Këto ditë po më pyet dhe do jetë prapë Balla apo do jesh ti?” Berisha tha se bëhej fjalë për një avokat që, sipas tij, merrte para, ndërsa vijoi me përgjigjen e bashkëbiseduesit: “Vladi i thotë: OK se flas unë dhe të tregoj mënyrën se si do ta mbyll”.
Më tej, ai lexoi një tjetër fragment të përgjimeve: “Ritvan Çela: Nga Tao, Tao, thotë se i ka në rregull letrat”. “Tao e ka rregulluar për t’i marrë makinat”, u shpreh Berisha, duke vijuar me përmendjen e prokurorit të Vlorës, Zarka, për të cilin pretendoi se ishte liruar, ndërsa përgjegjësinë më të madhe në këtë çështje ia atribuoi Ballës.
Përgjimet e tjera
Në vijim, Berisha lexoi një tjetër pjesë të komunikimeve ku përmendet Eriona Daupaj: “Eriona Daupaj: Kishte të drejtë bundra. Nuk duhej toleruar që në fillim, ai ku do të shkojë ai, do t’ia djegin letrat me benzinë”. Pas këtij fragmenti, ai lexoi edhe përgjigjen e Ritvan Çelës: “Ritvan Çela: Ajo luan me Taon”. Berisha akuzoi më pas Ballën për lidhje me persona të botës së krimit dhe pretendoi se personat e përmendur në përgjime mbroheshin politikisht.
Gjatë deklaratës, kreu i PD-së u ndal sërish te Eriona Daupaj, të cilën e cilësoi si person në kërkim, duke pretenduar se ajo ishte bërë punonjëse e një ambasade në Vjenë për shkak të lidhjeve familjare me ambasadorin dhe bashkëshorten e tij. Në vijim, Berisha lexoi një tjetër fragment që i atribuoi Daupajt: “Daupaj: E ke gabim, kësaj radhe do t’ia marr. Nuk do të armiqësohem me policinë, i dola borxhit Taos. Ta ktheva, mos ma sill më, dakord i tha Taos, do të paguaj unë”.
Berisha e ndërpreu leximin me komentin se kishte edhe përgjime të tjera për Ballën. Sipas kreut të PD ai mbrohet nga mazhoranca. Berisha lexoi edhe një fragment tjetër, duke vijuar me fjalët: “I dola borxhit Taos, ta ktheva, mos ma sill më. Dakord, i tha Taos, do ta pengoj unë.
Ata sollën prapë, i doli borxhit, këtë herë prej teje”. Në përfundim, Berisha e cilësoi Ballën si person të lidhur me krimin dhe e akuzoi për rekrutimin e personave që, sipas tij, do të përdoreshin për të shtypur studentët.
