Në Policinë e Kosovës janë të raportuar tri raste të ndara të armëmbajtjes dhe përdorimit të armëve në rajonin e Prishtinës – gjegjësisht në Drenas, Podujevë dhe Prishtinë, të gjitha këto të ndodhura më 23 gusht.
Në Drenas, një person është arrestuar nën dyshimin se kishte shtënë me armë zjarri nga vetura në lëvizje.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar tetë gëzhoja, ndërsa nga i dyshuari është konfiskuar një revole me gaz dhe 88 fishekë. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Në Podujevë, pas raportimit për të shtëna me armë zjarri, policia ka konfiskuar nga një i dyshuar një pistoletë me gaz dhe 11 fishekë.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Prishtinë, policia ka ndaluar një person, i cili gjatë kontrollit ka deklaruar se posedonte armë.
Atij i është konfiskuar një pistoletë me 10 fishekë, për të cilën kishte leje të skaduar, si dhe një leje për armë të shënjestrimit.
Sipas Policisë, edhe ky rast do të vazhdojë në procedurë të rregullt, me vendim të prokurorit.
