Qeveria vendosi dje të ndryshojë rregullat për pajisjen me dokument pronësie të objekteve të vjetra pa titull, trojeve funksionale dhe oborreve në përdorim, duke e kthyer rrethimin fizik në terren në një nga provat kryesore të posedimit të tokës.
Sipas vendimit që ndryshon VKM-në nr. 827 të vitit 2020, me “posedim efektiv” do të kuptohet zotërimi i truallit ose oborrit në funksion të objektit, i vërtetuar nëpërmjet rrethimit të konstatuar gjatë kontrollit në terren.
Praktikisht, nëse një qytetar ka një banesë të vjetër pa dokumente dhe përdor një sipërfaqe të rrethuar rreth saj, Kadastra mund t’i kalojë në pronësi deri në 300 metra katrorë truall funksional.
Por vendosja e gardhit nuk mjafton e vetme për të fituar pronësinë. Objekti duhet të përfshihet në kategoritë që trajtohen nga ligji, ndërsa ASHK duhet të verifikojë kohën e ndërtimit, poseduesin, sipërfaqen, kufijtë dhe statusin juridik të tokës.
Nga ky proces përfitojnë kryesisht poseduesit e objekteve të ndërtuara deri më 10 gusht 1991, të cilët nuk kanë titull pronësie, si dhe personat që kanë dokument për banesën, por jo për oborrin ose tokën që përdorin përreth saj.
Kur toka është pronë shtetërore, figuron me pronar të pavërtetuar ose nuk ka informacion mbi pronësinë, sipërfaqja deri në 300 metra katrorë mund të kalojë pa pagesë në pronësi të poseduesit.
Nëse toka është pronë private e një personi tjetër, poseduesi nuk e merr falas. Ai duhet të paguajë vlerën e truallit sipas çmimit favorizues dhe lehtësive të parashikuara nga ligji, ndërsa pronari i regjistruar trajtohet sipas procedurave të kompensimit.
Në rastet kur trualli është pjesërisht shtetëror dhe pjesërisht privat, Kadastra mund të kalojë në pronësi një sipërfaqe më të vogël se 300 metra katrorë, duke shmangur cenimin e pronës private kur ndarja është e mundur fizikisht.
Rregulli i ri mund të krijojë debate në zonat ku kufijtë mes pronave janë të paqartë, ku ekzistojnë mbivendosje ose ku disa persona pretendojnë të njëjtën sipërfaqe. Përdorimi i rrethimit si provë e posedimit mund të shtojë gjithashtu konfliktet për gardhet e vendosura ndër vite ose të ngritura së fundmi.
Për këtë arsye, rrethimi i konstatuar në terren nuk mund të konsiderohet automatikisht titull pronësie. Ai shërben si provë për sipërfaqen që pretendohet se përdoret, ndërsa vendimi përfundimtar merret nga drejtoria vendore e ASHK-së pas verifikimit të dokumentacionit dhe gjendjes juridike.
Procedura mund të nisë nga vetë Kadastra, përmes kontrolleve “derë më derë” sipas blloqeve kadastrale, ose nga qytetari nëpërmjet një aplikimi në “e-Albania”.
Kur procedura për një objekt banimi nis nga ASHK-ja, qytetari nuk paguan tarifën standarde. Kur aplikon vetë, duhet të paguajë 10 mijë lekë, tarifë që nuk kthehet edhe nëse kërkesa rrëzohet. /skyweb.al
