Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka bërë të ditur për KosovaPress, se pas vdekjes së dyshimtë të një 27-vjeçari dhe një foshnje tremuajshe, është arrestuar babai i viktimës (65-vjeç) në cilësinë e të dyshuarit dhe i njëjti është ndaluar për 48 orë.
Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes, Hashani tha se dyshohet se incidenti ka ndodhur brenda familjes në Demiraj të Gjilanit, ku një 27-vjeçar dhe një foshnje janë gjetur sot pa shenja jeta.
“Me urgjencë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se të dy personat janë pa shenja jete. Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes, dyshohet se incidenti ka ndodhur brenda familjes, ku në cilësinë e personit të dyshuar është arrestuar babai i viktimës, i cili me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë”, tha Hashani.
Hashani tha se në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për ndriçimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, i cili është cilësuar si vrasje e rëndë.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit trupat e pajetë dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
