Ndërmarrja Publike “Trainkos” ka njoftuar se tenderi për riparimin e pesë vagonëve është fituar nga kompania vendore “Profitech Sh.P.K.”, ndërsa dërgimi i tyre në Zrenjanin të Serbisë është bërë për shkak se, sipas operatorit ekonomik, punimet nuk mund të kryheshin diku tjetër.
Përmes një reagimi publik, Trainkos ka thënë se rehabilitimi i vagonëve, i përfunduar në dhjetor të vitit 2024, është realizuar nëpërmjet një tenderi të hapur, të publikuar më 15 shkurt të po atij viti. Sipas ndërmarrjes, procedura është zhvilluar në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik.
“Profitech Sh.P.K.”, me seli në Prishtinë, ishte operatori i vetëm që aplikoi në këtë proces tenderues. Trainkos ka sqaruar se kompania fituese është përgjegjëse për zgjedhjen e nënkontraktorëve dhe se ndërmarrja nuk ka mekanizëm juridik për të ndikuar në këtë vendim.
Pas deklaratave të publikuara të hënën në medie, Trainkos ka kërkuar nga operatori ekonomik sqarime për arsyet e dërgimit të vagonëve në Zrenjanin, procedurat e ndjekura dhe mundësinë e kryerjes së punimeve në një vend tjetër.
Sipas përgjigjes së “Profitech Sh.P.K.”, vagonët janë dërguar atje pasi vetëm punishtja përkatëse mund t’i riparonte. Operatori ka pohuar se Dogana njoftohet paraprakisht dhe mjetet hekurudhore transportohen përmes Maqedonisë së Veriut drejt Serbisë.
Trainkos ka paralajmëruar një vlerësim të pavarur për të përcaktuar nëse riparime të tilla mund të realizohen nga operatorë në shtete të tjera. Nëse kjo rezulton e mundur, ndërmarrja thotë se do të shqyrtojë alternativat brenda kornizës ligjore.
Në reagim është bërë e ditur se vagonët janë blerë nga Gjermania në vitin 2017 dhe po atë vit ishin riparuar në Zrenjanin. Asokohe, sipas Trainkosit, një komision i ndërmarrjes kishte vizituar punishten për pranimin e tyre teknik.
Ndërmarrja i ka cilësuar si tendencioze dhe manipuluese pretendimet që, sipas saj, e shpërfillin historikun e këtyre riparimeve për qëllime të politikës ditore.
Trainkos ka mohuar gjithashtu se ka larguar nga puna një punonjës të përmendur në medie lidhur me këtë çështje. Sipas kompanisë, ai vazhdon të jetë i punësuar, por ndodhet në procedurë para komisionit disiplinor për disa shkelje të pretenduara të detyrave, përfshirë mosparaqitjen në punë.
Ndërmarrja ka kërkuar që kjo procedurë të mos ndërlidhet me rastin e vagonëve, ndërsa u ka bërë thirrje palëve që informacionet t’i marrin nga komunikimet zyrtare dhe institucionale.
Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, ka publikuar një dokument, sipas të cilit, një komision i caktuar nga Trainkos kishte vizituar Serbinë më 7 nëntor 2024 për të testuar vagonët e riparuar.
