Lajme

“Tre të mitur dëshmitarë”, çfarë ndodhi në stacionin policor para se Arlinda të privohej nga jeta?

Vrasja e Alinda Zekajt, e cila dyshohet se u privua nga jeta nga kunati i saj, Albert Sylaj, mbrëmjen e 25 tetorit në fshatin Vitomiricë të Pejës, vazhdon të mbetet një ngjarje e rëndë, rreth së cilës ende ka shumë pikëpyetje dhe paqartësi.

Ndonëse i dyshuari është arrestuar pak ditë pas krimit dhe ndodhet në paraburgim, rrethanat dhe detajet që i paraprinë kësaj ngjarjeje tragjike vazhdojnë të jenë në fokus të vëmendjes publike.

Gazetari Vullnet Krasniqi, ka ngritur një sërë pikëpyetjesh lidhur me atë që dyshohet se ka ndodhur në Stacionin Policor në Pejë, ku sipas tij, mund të ketë pasur zhvillime të rëndësishme para vrasjes.

Ai ka thënë se pyetja kryesore që duhet të marrë përgjigje është se çfarë ka ndodhur atë natë në stacionin policor dhe nëse ka pasur komunikim mes personave të përfshirë në këtë rast.

“Pyetja kryesore është çka ka ndodh atë natë në stacionin policor në Pejë. Kur kam shkuar në Pejë, fjalia e parë që ma kanë thënë ka qenë ‘Vullnet nuk  e ki idenë se çfarë ka ndodhur këtu, pra brenda stacionit policor”. Sipas informacioneve të avokatit të familjes, Besnik Berisha, brenda stacionit ka qenë Jetoni bashkë me vëllanë e tij dhe i cili dyshohet që e ka lajmëruar Albertin në këtë rast që ‘Arlinda po vjen te ju, Jetonin e kanë ndal’. Pra këtu shtrohet pyetja, qysh është marrë vesh për vrasjen e saj dhe çështja e telefonit. Ka dyshime të forta që Jetoni aty ka pasur qasje në telefon, brenda stacionit policor dhe dyshohet se e ka parë vrasjen. Nuk kuptohet pse është lejuar telefoni”.

Një tjetër çështje që Krasniqi e ka vënë në dyshim është mungesa e një thirrjeje zyrtare në numrin emergjent 192 për raportimin e vrasjes. Sipas tij, versioni i ngjarjes ngre pikëpyetje për mënyrën se si policia është njoftuar për krimin.

“Kamerat e sigurisë brenda stacionit me kamerat e sigurisë dhe familjes atje, duhet me u bë sinkronizim. Këto të gjitha janë dyshime, por kjo do të zbardhet shumë shpejt. Nëse del që policia e Kosovës përmes një personi të tretë ka shkuar dhe e ka kuptuar dhe ka pas Jetoni qasje në telefon, ky do ishte skandal i madh”.

Në anën tjetër, gazetarja Qëndresa Tërshani ka bërë të ditur se në vendimin e Gjykatës në Pejë, të marrë vetëm dy-tri ditë pas vrasjes, përmenden dëshmitarë okularë të cilët në atë kohë ende nuk ishin intervistuar nga organet e hetuesisë.

“Pak ditë pasi është dorëzuar Albert Sylaj. Dyshohet se Albert Sylaj ka dashur të takohej me familjen pikërisht për me ua tregu narracionin se si duhet të flasin. Gjatë kohës sa të merren në pyetje mund të ndryshohet edhe statusi, pra personave që janë si dëshmitarë mund të jenë edhe të dyshuar, pra nuk është përfundimtare”, tha ajo.

Sipas dosjes, tre dëshmitarë kanë qenë të pranishëm dhe kanë parë drejtpërdrejt se si ka ndodhur vrasja.

“Përmenden nëna e të pandehurit, vajza dhe djali i Alberti, djali i viktimës, këta tre të mitur si dhe bashkëshortja dhe vëllai i Albertit, Dritoni. Sipas dosjes së gjykatës, të tre janë dëshmitarë, e kanë parë vrasjen si ka ndodhur. Pra dy fëmijët e Albertit dhe djali i Arlindës”.

“Arlinda ka hyrë në dhomën e saj të gjumit, Alberti më sëpatë i ka shkuar pas në dhomë, ajo ka shkuar pas derës për t’u mbrojtur, megjithatë i njëjti e ka sulmuar në pjesë të ndryshme të trupit, pra disa herë në pjesët më vitale”, tha gazetarja Tërshani.

Të Ngjashme