Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Tre të plagosurit në një kafiteri në Skenderaj, flasin nga QKUK

Tre personat të cilët janë plagosur në një kafiteri në fshatin Runik të Skenderajt janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Drejtori i Emergjencës, Naser Syla ka konfirmuar se tre të plagosurit janë duke u trajtuar në Kliniken e Ortopedisë.

Kështu tha ai shkurt për Insajderin duke mos dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të tyre.

Ndryshe nga ky rast ka mbetur i vrarë një 39 vjecarë dhe tre të tjerë janë plagosur.

Lajmin e ka konfirmuar, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në hetimet fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar ( po ashtu nga arma e zjarrit ) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, ka thënë Zahiti.

Zahiti tha se ka hetimet e para, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

“Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja. Gjitha veprimet e ndërmarra policore, janë udhëhequr nga prokurori i rastit i cili ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore . Hetuesit e Sektorit Rajonal , janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit/ve të veprës si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale”, ka thënë ai më tutje.