Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, e ka kujtuar motrën e tij në trevjetorin e vrasjes, duke publikuar një dedikim prekës në rrjetet sociale. Ai ka shprehur mallin dhe dhimbjen e familjes për humbjen e saj, duke thënë se mungesa e Liridonës vazhdon të ndihet edhe pas tre vitesh.
Në dedikimin e tij, Ademaj ka kujtuar momentet e kaluara me motrën, buzëqeshjen, fjalët dhe dashurinë e saj, të cilat, siç shkruan, do të mbeten përgjithmonë në zemrat e familjarëve. Ai ka theksuar veçanërisht dhimbjen për dy djemtë e Liridonës, të cilët po rriten pa praninë e nënës së tyre.
Ai ka shprehur gjithashtu pakënaqësinë për pasojat e rënda që ka lënë vrasja, duke theksuar se asnjë dënim nuk mund ta kthejë Liridonën pranë familjes dhe fëmijëve të saj. Në fund, ka falënderuar të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë familjes gjatë këtij procesi të dhimbshëm.
“Liridona, do të të kujtojmë përjetë. Emri yt, jeta jote dhe dhimbja për humbjen tënde nuk do të harrohen. U prehsh në paqe, motra jonë”, ka shkruar ai.
