Ndonëse kanë kaluar thuajse tri dekada, pjesa më e madhe e të dyshuarve për krime lufte vazhdojnë të jetojnë në liri. Për ta thyer këtë amulli, Kosova ka nisur ngritjen e aktakuzave në mungesë.
Rezultatet e para u shënuan në dhjetor të vitit 2024, ku Çedomir Aksiq u dënua me 15 vjet burgim. Ky trend vazhdoi në korrik të vitit 2025 me dënimin e Sllavisha Filitiqit, si dhe me shpalljen e aktgjykimeve ndaj Ivica Rajkoviqit dhe Dragan Deniqit, për krime ndaj cilivive në luftën e fundit.
Ndjekja penale po zgjerohet, por pengesat procedurale mbeten evidente. Së fundmi, shqyrtimet fillestare gjyqësore ndaj 42 të akuzuarve për krime lufte në Istog dhe në Masakrën e Reçakut u shtynë për shkaqe teknike.
Ekspertët alarmojnë se këto gjykime nuk duhet të neglizhohen., duke nënvizuar se koha po shndërrohet në armikun kryesor të procesit, pa anashkaluar as sfidën
“Provat kryesore në rastet e krimeve të luftës është deklarata e dëshmitarëve. Sigurisht që me kalimin e kohës tani më 26-të vite pas përfundimit të luftës kanë vdekur qindra apo mijëra dëshmitarë. Sigurisht ata të cilët kanë qenë në moshë të shtyrë, por po ashtu vdesin edhe kryerësit të cilët gjatë kohës së luftës kanë qenë në moshë të shtyrë…”, ka thënë Amer Alija, FDHK.
Ndërkohë, refuzimi i Serbisë për të bashkëpunuar dhe strehimi i qëllimshëm i kriminelëve të luftës mbetet pengesa kryesore për ekzekutimin e vendimeve të gjykatave të Kosovës.
“Njëra prej sfidave jashtëzakonisht të mëdha të kësaj pyetjeje është se gjykimi në mungesë është ekzekutimi, përkatësisht zbatimi i vendimeve që lidhen me këto me të vërteta. E në rrjedhë të kësaj, siç e thashë kur kemi parasysh faktin që fqinji ynë verior vazhdon të mbetet strehë e këtyre kriminelëve, atëherë qasja përkatësisht nxënja dhe vënia e tyre para drejtësisë në drejtim të ekzekutimit të këtyre vendimeve natyrisht që është sfidë në vete”, ka thënë Ardian Bajraktari, avokat.
Mungesa e bashkëpunimit dypalësh nga ana e Serbisë parandalon ekstradimin e të akuzuarve për krime lufte që strehohen në territorin e saj.
Ndonëse Serbia bllokon ekstradimin e të dyshuarve për krime lufte, institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë shënuar rezultate rekorde në bashkëpunimin juridik me shtetet e tjera ndërkombëtare.
Gjatë vitit 2025 janë realizuar 77 ekstradime, 56 në Kosovë dhe 21 jashtë saj, ndërsa gjatë këtij viti Ministria e Drejtësisë ka shënuar një rekord të ri për këtë periudhë kohore me gjithsej 59 ekstradime (45 në Kosovë dhe 14 në shtete të tjera).
Të dhënat e këtij viti flasin për strehimin e të akuzuarve brenda territorit të Serbisë dhe refuzimi i tyre për t’u larguar e bën të pamundur ekstradimin në Kosovë. Ndërkohë, autoritetet po presin vendimet përfundimtare nga gjykatat e Malit të Zi për ekstradimin e dy shtetasve serbë.
Pavarësisht bllokadës nga Serbia, Kosova ka dëshmuar një rrjet të fuqishëm të bashkëpunimit ndërkombëtar, duke ekstraduar ndër vite persona të dënuar nga shtete si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Shqipëria, SHBA-të dhe vende të tjera të Evropës, në një betejë të vazhdueshme për të vendosur drejtësinë në vend.
