Presidenti amerikan Donald Trump ka sinjalizuar se, të paktën për momentin, nuk po planifikon sulme të reja ushtarake ndaj Iranit, por synon të rrisë presionin ekonomik ndaj Teheranit, në një kohë kur negociatat për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit vazhdojnë të mbeten të bllokuara.
Në një bisedë me Axios, Trump tha se SHBA-ja po e trajton situatën “pa bujë” dhe se negociatat me Iranin janë vetëm të pjesshme.
“Thjesht po e vëzhgojmë Iranin me inflacionin e tij të madh dhe faktin që nuk kanë para”, deklaroi Trump, duke theksuar gjendjen e rënduar ekonomike të vendit.
Deklaratat e tij vijnë pasi Irani paraqiti kërkesa të reja për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Mes kushteve të Teheranit janë përfundimi i luftës kundër Iranit dhe aleatëve të tij, heqja e bllokadës detare, tërheqja e forcave amerikane nga rajoni, heqja e sanksioneve dhe kompensimi për dëmet e luftës.
Sipas Axios, vetëm një javë më parë Trump po shqyrtonte rikthimin në operacione të mëdha ushtarake kundër Iranit, por më pas vendosi të ulte tensionet.
Trump e përshkroi përplasjen me Teheranin si një “lojë shahu”, duke shprehur bindjen se situata përfundimisht do të zgjidhet.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë të përdorin një kombinim të presionit diplomatik, ekonomik dhe ushtarak për të detyruar Iranin të arrijë një marrëveshje.
