Lajme

Tubimi i “bashkimit” nxori në pah përçarjet në LDK, Salihaj ‘godet’ Abdixhikun pas rikthimit të Osmanit

Mungesa e disa figurave të rëndësishme të LDK-së në “Tubimin e Bashkimit” është interpretuar si sinjal se brenda partisë ende ekzistojnë dallime dhe rezerva politike, pavarësisht përpjekjeve të lidershipit për të projektuar unitet para zgjedhjeve të 7 qershorit.

Në një moment simbolik, si rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK dhe afrimi i saj me Lumir Abdixhikun, mosprania e emrave si Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Imri Ahmeti, Kujtim Shala dhe Përparim Rama ka nxitur spekulime për pakënaqësi të brendshme dhe mospajtime rreth drejtimit të ri politik të partisë.

Lidhur me këtë temë, për “Bota sot” foli ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, i cili tha se mospjesëmarrja e disa figurave kyçe në tubim tregon qartë se ka pakënaqësi brenda partisë për rikthimin e Osmanit.

Image
Adem Salihaj

Ai kritikoi Abdixhikun për mungesë lidershipi dhe për dështim në krijimin e unitetit brenda partisë.

“Mospjesëmarrja e një pjese të kryesisë së LDK-së në tubimin e madh të bashkimit, siç po quhet, padyshim tregon mospajtimin e tyre me ardhjen e Vjosa Osmanit dhe kjo, pa dyshim, do të reflektohet edhe në zgjedhje.

Mendoj se Lumir Abdixhiku është dashur të bisedojë më gjatë edhe me këtë pjesë të kryesisë, në mënyrë që të krijohej një unitet i vërtetë, e jo siç ndodhi tani. Duke rregulluar një gjë, u prish një tjetër. Nga zhvillimet që pamë, u kuptua se Lumir Abdixhiku nuk ka aftësi të krijojë unitet brenda LDK-së”, tha ai.

Krahas kësaj, Salihaj u shpreh se mund të ketë një ngritje të lehtë për LDK-në, por kjo mbetet të shihet pas zgjedhjeve.

Megjithatë, ai beson se kryesisë së LDK-së i duhet shumë punë për të krijuar unitetin që Abdixhiku po përpiqet ta paraqesë.

“Se si do të reflektohet kjo në zgjedhje, mbetet të shihet, por mendoj se LDK-ja mund të ketë një ngritje, edhe pse situata për momentin duket disi e paqartë.

Kryesia e LDK-së duhet të punojë shumë për të krijuar një unitet të vërtetë funksional, në mënyrë që të mos ndodhë një zhgënjim i ri në zgjedhjet e ardhshme”, përfundoi Adem Salihaj për “Bota sot”.

Të Ngjashme